Dita 62: Putini thotë se ende shpresojnë për arritjen e një marrëveshjeje me Ukrainën

Moska akuzoi NATO-n për përfshirje në një betejë prokure kundër Rusisë duke armatosur Ukrainën, duke thënë se kjo kishte krijuar një rrezik serioz dhe real të luftës bërthamore. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka thënë se dërgesat e armatimit perëndimor në Ukrainë do të thotë se aleanca e NATO-s është “në thelb e angazhuar në luftë me Rusinë”. Pretendimet e Moskës se aleatët perëndimorë mund të provokojnë një konflikt më të gjerë duke furnizuar Ukrainën me armë, janë hedhur poshtë si “të pakuptimta” nga ministri i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, transmeton Portalb.mk.

21:30- Putin: Ende shpresojmë për arritjen e një marrëveshjeje me Ukrainën

Presidenti rus, Vladimir Putin, i tha sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, se ai ende shpreson për negociata që do t’i jepnin fund konfliktit në Ukrainë.

“Pavarësisht faktit që operacioni ushtarak po vazhdon, ne ende shpresojmë se do të jemi në gjendje të arrijmë marrëveshje në rrugën diplomatike”, i tha Putin Guterresit gjatë një adresimi televiziv, pas takimit të tyre në Kremlin më 26 prill.

Putin theksoi se negociatorët rusë dhe ukrainas kanë arritur atë që ai e përshkroi si “përparim të madh” në bisedimet në Stamboll muajin e kaluar. Por, ai shtoi se përpjekjet janë penguar nga pretendimet për mizoritë e kryera nga forcat ruse në qytetin Buça, që gjendet në periferi të Kievit.

“Ka pasur provokim në fshatin Buça, ku ushtria ruse nuk është përgjegjëse për asgjë që ka ndodhur aty”, tha Putin.

Putin po ashtu u pajtua “në parim” që Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq i OKB-së të përfshihet në evakuimin e civilëve nga fabrika Azovstal në Mariupol të Ukrainës, u tha në deklaratën e lëshuar nga Kombet e Bashkuara.

“Diskutimet e mëtejme do të zhvillohen midis Zyrës së OKB-së për Koordinim të Çështjeve Humanitare dhe Ministrisë ruse të Mbrojtjes”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, pas takimit midis Putin dhe Guterres.

Përpjekjet e fundit për të krijuar korridore humanitare për evakuimin e civilëve kanë dështuar.

Gjatë takimit, Guterres ka kritikuar veprimet ushtarake të Rusisë në Ukrainë, duke i cilësuar si shkelje flagrante të integritetit territorial të Ukrainës. Shefi i OKB-së po ashtu i ka bërë thirrje Rusisë që të lejojë evakuimin e civilëve nga fabrika e çelikut, Azovstal në Mariupol.

Putin është përgjigjur se forcat ruse kanë ofruar korridore humanitare, por luftëtarët ukrainas që gjenden në këtë fabrikë të çelikut, sipas tij, po përdorin civilët si mburoja njerëzore dhe nuk po i lejojnë që të largohen.

Guterres para takimit me Putinin është takuar edhe me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Ai ka bërë thirrje për hetim të krimeve të pretenduara të kryera nga forcat ruse në Ukrainë, si dhe për përfundimin e pushtimit të Ukrainës, që Rusia nisi më 24 shkurt.

21:00- Blinken: Putin nuk është serioz që t’i japë fund luftës përmes diplomacisë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka treguar seriozitet që lufta në Ukrainë të përfundojë përmes diplomacisë, pavarësisht disa përpjekjeve ndërkombëtare.

“Deri më tani nuk kemi parë asnjë shenjë se presidenti Putin është serioz për negociata kuptimplota”, tha Blinken para Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan.

Përderisa SHBA-ja do të mbështesë përpjekjet ukrainase për t’i dhënë fund luftës përmes diplomacisë, Blinken tha se “qëllimi ynë është që të sigurohemi se ata kanë në duart e tyre aftësinë që t’i kundërvihen agresionit rus, dhe të forcojnë pozicionin e tyre në tavolinën e negociatave”.

Blinken iu përgjigj kështu pyetjeve të senatorit republikan, Rand Paul, i cili akuzoi presidentin amerikan, Joe Biden, se ka kontribuar në vendimin e Putinit për ta pushtuar Kievin, pasi sipas tij, ai ka folur për mundësinë që Ukraina të pranohet në NATO.

Por, Blinken tha se në bisedimet me Rusinë, para nisjes së pushtimit më 24 shkurt, ishte e qartë se shqetësimet e Putinit lidhur me bashkimin e Ukrainës në këtë aleancë perëndimore, ishin pretekst për nisjen e luftës.

“Ne tentuam që të angazhoheshim me ta në këto situata me seriozitet”, tha Blinken.

“Është shumë e qartë – dhe sipas fjalëve të vetë presidentit Putin – kjo luftë kurrë nuk ishte për faktin se Ukraina potencialisht mund të bëhej pjesë e NATO-s, por ka të bëjë me besimin e tij se Ukraina nuk e meriton të jetë një vend sovran dhe i pavarur”, shtoi ai.

20:00- “Rusia përdor veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të mbuluar “barbarizmin” në Ukrainë”

Shefja e diplomacisë e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, ka akuzuar Rusinë se po përdor veton e saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) si “dritë jeshile për barbarizmin” në Ukrainë.

Truss komentoi këtë në parlament kur një deputet pyeti nëse Rusia duhet të mbetet anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Këshilli i Sigurimit ka një rol për të luajtur, pasi nën presidencën tonë, ne e kemi përdorur atë për të tërhequr vëmendjen ndaj gënjeshtrave të Rusisë. Ne po ashtu kemi pritur adresimin e presidentit Zelenskyy. Por ne kemi shqetësime për një arkitekturë të sigurisë ndërkombëtare që ka Rusinë si një nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe ata kanë përdorur veton e tyre si dritë jeshile për barbarizmin”, tha Truss.

Siç theksoi ajo, një pjesë e përgjigjes së tyre për këtë çështje ka qenë “puna më e ngushtë me aleatë si nga G7-ta dhe NATO, sepse ne thjesht nuk kemi parë mjaftueshëm që po ndodhë në nivel të OKB-së”.

Britania dhe Rusia, së bashku me SHBA-në, Francën dhe Kinën, përbëjnë pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, respektivisht secili prej pesë anëtarëve ka të drejtën e vetos.

19:00- Asambleja e Përgjithshme e OKB-së i shton “përgjegjshmërinë” vetos në Këshillin e Sigurimit

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka miratuar një rezolutë që kërkon nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit para Asamblesë së Përgjithshme të japin një shpjegim nëse e ushtrojnë të drejtën e vetos.

Rezoluta u miratua me konsensus që do të thotë se vendet anëtare individuale nuk duhej të votojnë.

E drejta e vetos së pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit (Kina, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja) u lejon atyre që individualisht të anulojnë çfarëdo rezolute të Këshillit të Sigurimit nëse ata vendosin ta bëjnë këtë. Atyre historikisht nuk u është kërkuar të justifikojnë ndonjë veto që është vendosur.

Por rezoluta e sapo miratuar, e cila u prezantua nga Lihtenshtajni me mbështetjen e fortë të SHBA-së, thirr automatikisht Asamblenë e Përgjithshme nëse ndonjë anëtar i përhershëm vendos veton ndaj ndonjë rezolute të Këshillit të Sigurimit.

Ideja për të shtuar përgjegjësinë ndaj fuqisë së vetos nuk është e re, por ajo ka fituar një veçanti mes luftës së vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës.

Së fundmi, Rusia vendosi veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit që kërkonte që Moska të përfundojë menjëherë sulmin e saj dhe të tërhiqte të gjitha forcat nga Ukrainë. Draft-teksti i muajit shkurt kishte mbështetjen e 11 nga 15 anëtare të dhomës.

Rusia ka qenë përdoruesi më i shpeshtë i vetos. Vetoja e parë u përdor nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1946 dhe deri më tani Rusia ka vendosur veto ndaj 120 rezolutave. Vetoja e Kremlinit arriti kulmin me konfliktin sirian të vitit 2011. Kina po ashtu ka vendosur veto ndaj rezolutave në lidhje me Sirinë, përfshirë draftet për përdorimin e armëve kimike dhe dërgimin e ndihmave ndër-kufitare.

Rusia pasojat nga SHBA-ja, e cila deri më tani ka vendosur veto ndaj 82 rezolutave, shumica prej tyre që kanë të bëjnë me Izraelin.

Mbretëria e Bashkuar dhe Franca nuk e kanë përdorur të drejtën e vetos që nga viti 1989.

Rusia e kundërshtoi fuqishëm rezolutën e re për t’i shtuar “përgjegjshmërinë” vetos, duke deklaruar në sallën e Asamblesë së Përgjithshme se vetoja nuk duhet të shqyrtohet, “por përkundrazi të dëgjohet mungesa e gatishmërisë të disa anëtarëve të Këshillit të Sigurimit dhe të merret parasysh mendimi i të tjerëve”.

“Vetoja, natyrisht, është një masë e fundit dhe përdoret në një kohë kur mundësitë e tjera janë shterur”, tha zv/përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Gennady Kuzmin.

18:10 – Kievi paralajmëroi kundër përpjekjeve për futjen në luftë të rajonit Transdniester 

Ministria e Jashtme ukrainase ka shprehur shqetësimet më 26 prill lidhur me situatën në rajonin e shkëputur pro-rus të Moldavisë, Transdniester, dhe ka dënuar ato që ka thënë se janë përpjekje të Rusisë për ta tërhequr këtë rajon në luftën e Moskës kundër Ukrainës.

Ministria ukrainase tha përmes një deklarata se një seri incidentesh, ku përfshiheshin edhe disa shpërthime, “kanë përkuar me deklaratat e komandës ushtarake ruse për të pushtuar të gjithë rajonin jugor të Ukrainës dhe për të krijuar një korridor tokësor për në rajonin Transdniester të Moldavisë”.

“Ukraina mbështet fuqishëm integritetin territorial të Moldavisë në kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht, dënon përpjekjet për ta përfshirë rajonin Transdniester të Moldavisë në pushtimin rus të Ukrainës dhe bën thirrje për shtensionimin e situatës”, u tha në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ukrainase.

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, ka thënë të martën se sulmet në rajonin e mbështetur nga Rusia ishin përpjekje e fraksioneve brenda këtij territori për të rritur tensionet.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se ngjarjet në këtë rajon paraqisnin shqetësim të madh dhe se Moska po vëzhgonte nga afër zhvillimet.

12:01 – Kryeministri i Bullgarisë i dhuroi Ukrainës pagën e një muaji për të blerë armë

Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov, njoftoi se i ka dhuruar Ukrainës pagën e një muaji “për qëllime të blerjes së armëve”, ndërsa vazhdojnë diskutimet në vendin e tij për “ndihmë me armë për Ukrainën”.

“Ndihma me armë për Ukrainën varet nga uniteti politik dhe social në marrjen e vendimit. Në shoqëri ka pikëpamje të skajshme për këtë çështje. Tani ne duhet ta transformojmë këtë energji në aktivitete reale”, tha Petkov në një postim në median sociale.

Duke përmendur emrat e shumë vendeve evropiane që kanë dërguar armë në Ukrainë, Petkov theksoi se në kundërshtim me disa shqetësime në Bullgari, Rusia nuk u ka shpallur luftë këtyre vendeve.

“I bëj thirrje çdo qytetari bullgar që me të vërtetë dëshiron të ndihmojë Ukrainën, të dhurojë një rrogë si unë. Është e lehtë të thuash fjalë, e vështirë të bësh punë. Postimet e guximshme në mediat sociale tani duhet të shndërrohen në mbështetje të vërtetë për Ukrainën”, tha kryeministri bullgar.

Petkov publikoi gjithashtu faturën bankare të donacionit të tij.

Ndërkohë, drejtuesit e katër forcave politike që përbëjnë qeverinë bullgare do të zhvillojnë një mbledhje për të arritur konsensus për dërgimin e ndihmës me armë në Ukrainë, i cili duhet të jetë subjekt i një vendimi parlamentar.

Petkov ka deklaruar se dëshiron konsensus për këtë çështje, e cila është bërë kritike për unitetin e koalicionit, me partnerët bashkëqeverisës, para vizitës së tij nesër në Kiev.

Një nga partnerët e koalicionit, Partia Socialiste Bullgare (BSP) me origjinë komuniste dhe pro-ruse, kundërshton kategorikisht dërgimin e armëve në Ukrainë. Korneliya Ninova, liderja e BSP-së, e cila është zëvendëskryeministre dhe ministre e ekonomisë, ka kundërshtuar gjithashtu vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Nëse një plumb i vetëm bullgar dërgohet në Ukrainë, ne do të largohemi nga koalicioni”, ka paralajmëruar ajo.

11:57 – Gjermania do ta furnizojë Ukrainën me tanke antiajrore Gepard

Qeveria gjermane po planifikon të miratojë dërgesën e dhjetëra tankeve antiajrore Gepard në Ukrainë, njoftuan mediat lokale.

Ministrja e Mbrojtjes Christine Lambrecht do të shpallë planin e qeverisë gjatë një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në bazën ajrore Ramstein më vonë gjatë ditës, sipas revistës së lajmeve Der Spiegel.

Firma gjermane e mbrojtjes Krauss-Maffei Wegmann (KMW) kishte njoftuar në shkurt se mund të dërgonte rreth 50 tanke Gepard në Ukrainë nga stoqet e veta.

Gjermania është përballur me presion në rritje nga aleatët në javët e fundit për të furnizuar Ukrainën me armë të rënda, duke përfshirë tanke, artileri dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Qeveria miratoi më parë dërgimin e armëve mbrojtëse dhe pajisjeve të tjera ushtarake, por ka hezituar të dërgojë armë të rënda, nga shqetësimi i një konfrontimi të drejtpërdrejtë ushtarak me Rusinë.

11:51 – Shefi i OKB-së do të vizitojë Putinin

Dy muaj pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin pritet të pranojë Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres në Moskë.

Takimi në Kremlin pritet të ketë në fokus rolin diplomatik të Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, si dhe mundësitë për të dërguar ndihmë humanitare dhe korridore të sigurta për civilët, sidomos në qytetin e rrethuar të Mariupolit.

Shefi i OKB-së, 72-vjeçar, planifikon të bisedojë fillimisht me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov rreth mesditës.

Më pas Guterres do të takohet me Putinin në Kremlin.

Pas vizitës së tij në Rusi, shefi i OKB-së do të udhëtojë përmes Polonisë në Ukrainë, ku pritet të takojë presidentin e këtij shteti, Volodymyr Zelensky.

Së fundi është rritur presioni ndaj Guterres për të pasur rol më aktiv në dhënien fund të konfliktit në mes të Rusisë dhe Ukrainës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” me qëllim të çmilitarizimit të Ukrainës.

Perëndimi ka dënuar ashpër këtë vendim dhe ka vënë sanksione të pashembullta ndaj Moskës.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra njerëz dhe miliona tjerë kanë ikur nga Ukraina.

11:03 – Suedia dhe Finlanda në maj do të kërkojnë anëtarësimin në NATO

Finlanda dhe Suedia planifikojnë që në të njëjtën kohë, në maj, të shpallin se duan të anëtarësohen në NATO, shkruajnë mediat lokale. Dy vendet skandinave deri më tani kanë praktikuar neutralitet ushtarak, por pushtimi rus i Ukrainës ka ndryshuar mendjet e qeverive atje dhe ka rritur mbështetjen e publikut për anëtarësimin në NATO.

Gazeta finlandeze “Italechti” shkruan se liderët e Suedisë dhe Finlandës planifikojnë të takohen më 16 maj, kur do të njoftojnë se do të aplikojnë për anëtarësim në NATO.

“Finlanda është e gatshme t’i bashkohet NATO-s nëse qeveria suedeze merr një vendim të tillë”, tha ministri i jashtëm finlandez Peka Havisto.

Duke cituar burime të njohura me situatën, gazeta suedeze Aftonbladet shkruan se të dy vendet do të aplikojnë për anëtarësim në NATO në të njëjtën kohë këtë javë.

“Pushtimi rus i Ukrainës ka ndryshuar të gjithë peizazhin e sigurisë në Evropë dhe ka formësuar në mënyrë dramatike të menduarit në Skandinavi”, konkluduan së fundmi kryeministret suedeze dhe finlandeze Magdalena Anderson dhe Sana Marin.

Kremlini ka kërcënuar të rrisë praninë e tij ushtarake në Baltik nëse Suedia dhe Finlanda i bashkohen NATO-s, duke përfshirë vendosjen e armëve bërthamore.

08:49 – LEXO: Lavrov: Rreziqet e luftës bërthamore janë të ‘konsiderueshme’

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i ka thënë botës që të mos nënvlerësojë rreziqet e konsiderueshme të një konflikti bërthamor.

Ai po ashtu ka thënë se furnizimi i Ukrainës me armë nga NATO-ja “në thelb” nënkupton se aleanca e Perëndimit është e përfshirë në luftë me Rusinë, në mënyrë të tërthortë.

I intervistuar nga televizioni shtetëror rus, Lavrov është pyetur për rëndësinë e shmangies së Luftës së Tretë Botërore dhe nëse situata aktuale është e krahasueshme me Krizën Kubane të Raketave më 1962.

“Rreziqet tani janë të konsiderueshme”, ka thënë Lavrov sipas transkriptit të intervistës, që është publikuar në faqen e Ministrisë, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

“Nuk do të dëshiroja të vlerësoja këto rreziqe në mënyrë artificiale. Shumë do ta dëshironin këtë gjë. Rreziku është serioz, real. Ne nuk duhet ta nënvlerësojmë atë”.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka thënë se i ka parë deklaratat frikësuese të Rusisë si shenjë dobësie.

Rusia ka humbur “shpresën e fundit për të frikësuar botën nga mbështetja e Ukrainës”, ka thënë Kuleba në Twitter pas intervistës së Lavrovit.

“Kjo vetëm nënkupton se Moska e vëren humbjen”.

Gjatë vizitës në Kiev të dielën, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, kanë premtuar më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë të hënën se ka shfrytëzuar një deklarim urgjent për të miratuar një shitje potenciale të municionit për Ukrainën në vlerë të 165 milionë dollarëve.

Austin u ka thënë më pas gazetarëve se Uashingtoni dëshiron të shohë “Rusinë të dobësuar në shkallën kur nuk mund të bëjë gjërat që i ka bërë për të pushtuar Ukrainën”, duke shtuar se Kievi mund ta fitojë luftën nëse ka mbështetjen e duhur.

Pentagoni ka thënë se në paketë do të përfshihen artileri, tanke dhe lansuese të granatave.

Ambasadori rus në Uashington u ka thënë Shteteve të Bashkuara që të ndalin dërgesat, duke paralajmëruar se armët e Perëndimit janë duke rritur konfliktin.

“NATO, në thelb, është e përfshirë në luftë me Rusinë në mënyrë të tërthortë. Lufta nënkupton luftë”, ka thënë Lavrov.

Pushtimi dymujor rus në Ukrainë, njëherësh sulmi më i madh në një shtet evropian prej vitit 1945, ka lënë mijëra njerëz të vrarë dhe të plagosur, ka shkatërruar qytete e qyteza dhe ka detyruar mbi 5 milionë njerëz të ikin nga shteti.

Moska e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën dhe për ta mbrojtur nga fashistët.

Ukraina dhe Perëndimi besojnë se ky është arsyetim i rremë për një luftë të paprovokuar dhe të nisur nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Shtetet e Bashkuara pritet të mbledhin më shumë se 40 shtete këtë javë për të diskutuar për mbrojtje dhe luftën në Ukrainë, duke pasur në fokus armatimin e Kievit, kanë thënë zyrtarët amerikanë.

Vazhdon lufta në jug dhe lindje të Ukrainës

Rusia nuk kontrollon qytetet më të mëdha të Ukrainës.

Forcat e saj janë detyruar të largohen nga Kievi, pas përballjes me rezistencë të ashpër.

“Është e qartë që çdo ditë – sidomos sot, kur ka nisur muaji i tretë i rezistencës tonë – që secili në Ukrainë është i shqetësuar për paqen, se kur do të përfundojë e gjithë kjo”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në mbrëmjen e së hënës.

“Nuk ka përgjigje të thjeshtë tani për tani”.

Pasi ka dështuar të marrë kontrollin e Kievit, Moska ka nisur javën e kaluar sulme masive me qëllim të kontrollimit të provincave lindore ukrainase, të njohura si Donbas.

Moska dëshiron të fitojë kontrollin e këtij rajoni për ta lidhur me rajonin e Krimesë, të cilin e ka aneksuar më 2014.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka thënë të martën se ofensiva ruse ka vazhduar në rajonin e Harkivit dhe forcat ruse janë duke tentuar të avancojnë drejt Zavodit.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se raketat e saj kanë shkatërruar gjashtë objekte hekurudhore që janë shfrytëzuar për të dërguar armë të huaja në Ukrainë.

Udhëheqësi i kompanisë shtetërore të hekurudhave në Ukrainë, ka thënë se një punëtor është vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur nga sulmet ruse me raketa në pesë stacione hekurudhore.

Forcat ukrainase janë përgjigjur po ashtu me sulme dhe kanë lënë të vdekur mbi 200 ushtarë rusë, ka thënë komanda ushtarake ukrainase.

Pesë tanke janë shkatërruar, bashkë me tetë mjete të armatosura, është thënë në deklaratë.

Ushtria britanike ka thënë në përditësimin e saj më 26 prill se Rusia është duke tentuar të rrethojë pozicionet e fortifikuara ukrainase në lindje të shtetit.

Forcat ruse kanë vazhduar të hënën që të bombardojë fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, ku gjenden rreth 1,000 ushtarë dhe civilë që janë strehuar për t’iu ikur sulmeve.

Moska ka thënë se do të hapë korridore humanitare për të mundësuar largimin e civilëve nga fabrika, mirëpo Kievi ka thënë se nuk është arritur asnjë marrëveshje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button