Ka ardhur koha që lista e zezë amerikane për RMV-në të përditësohet me emra të rinj

Lista amerikane rreth korrupsionit dhe sigurisë në Maqedoninë e Veriut detyrimisht duhet të përditësohet nga autoritetet amerikane pasi shumë ngjarje kanë ndryshuar në vend nga 2001. Sipas ekspertëve, rrezik më të madh paraqesin kuadrot apo ish politikanët e kohës së ish kryeministrit Nikolla Gruevski, dhe të një klase politike që vazhdon të mbajë pozita kryesore në qeveritë e Maqedonisë së Veriut. Në to janë të koncentruar oligarkë dhe grupe ku ka dyshime për keqpërdorime dhe shkelje të standardeve demokratike, shkruan Portalb.mk.

Publicisti Selim Ibraimi thotë se kjo listë duhet të vlejë edhe për zyrtarët në qeverinë e njohur si Zaev 1 dhe 2. SHBA këtë duhet ta plotësojë me emra të rinj qoftë edhe nëse janë në pushtet nga pala maqedonase dhe shqiptare.

“E vetmja mënyrë për të shpëtuar Maqedoninë e Veriut dhe rajonin nga oligarkët dhe aktorët malinj mbetet që të reagohet tani dhe shpejt nga amerikanët. Ndryshe rusët dhe kinezët do të zënë këtë hamendje të vazhdueshme të Uashingtonit se kur dhe si duhet shpallë persona-non -grata dhe pse është e nevojshme të bëhet bllokimi i mjeteve financiare të politikanëve të dyshuar dhe atyre që paraqiten në publik, por që pas vetes mbajnë grupe të konsiderueshme që përbëjnë kërcënime për demokracinë dhe rendin ligjor”, vlerëson Ibraimi.

Drejtoresha e Institutit për Politika Evropiane Simonida Kacarska, vlerëson se lista e ShBA-së, paraqet një instrument shumë të rëndësishëm për vende si ky i yni, përmes të cilës dërgohen sinjale të qarta për bartësit e funksioneve të larta shtetërore.

“Sa i përket listës së zezë të Biden-it, ajo është padyshim një instrument me të cilin Shtetet e Bashkuara mund të dërgojnë sinjal domethënës në lidhje me pritjet e elitave politike në rajon, përfshirë Maqedoninë e Veriut”, shprehet Kacarska.

Në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit tashmë janë Ljube Boshkovski, Menduh Thaçi, Xhevat Ademi, Kastriot Haxhirexha, Nevzat Halili, Gafur Adili, Nuri Bexheti, Xhavit Hasani, Xhezair Shaqiri, Daut Rexhepi dhe Xhemail Hiseni. Ndërsa në vitin 2003 nga presidenti Bush, nga kjo listë u hoqën emrat e Ali Ahmetit, Fazli Veliut dhe Hysni Shaqirit.

Në qershor të këtij viti Presidenti i SHBA-së Joe Biden nënshkroi urdhrin ekzekutiv për ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të njerëzve që kërcënojnë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë ata që punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, përmes Urdhrit Ekzekutiv ka paraparë bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave të caktuar që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

Urdhri është vazhdim i atij fillestar të vitit 2001, që parashikon sanksione për individë të Ballkanit Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, mirëpo tani janë paraparë edhe sanksione ndaj personave që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.

Sanksionet për personat që janë në “listën e zezë” nënkuptojnë ndalim të hyrjes në Shtetet e Bashkuara të Amemrikës dhe ngrirje të pasurisë të atyre individëve ose organizatave në bankat amerikane. Qytetarët dhe kompanitë nga SHBA-ja e kanë të ndaluar të kenë kontakte biznesi me persona apo organizata nga “lista e zezë”.

Ndërkohë, Marrëveshja e Prespës, por edhe ajo e Ohrit, kanë pasur kundërshtarë të zëshëm qysh përpara nënshkrimit të tyre. Ajo e para u bë shkak për protesta në Maqedoni, por edhe në Greqi. Kundërshtarët më të fortë të kësaj marrëveshje ishin partitë maqedonase, atëherë dhe aktualisht në opozitë VMRO-ja dhe E majta (Levica). Por, jo më pak të zëshëm ishin edhe akademikët maqedonas të AShAM-it. Madje së fundmi kreu i saj Lupço Kocarev, në shënimin e 53 vjetorit të themelimit të këtij institucioni, në tetor të vitit të kaluar tha se është e domosdoshme që Akademia të organizojë sërish debat shkencor për Marrëveshjen e Prespës. Këto dhe të tjerë personazhe, mund të jenë pjesë e listës së zezë që është urdhër ekzekutiv i presidentit amerikan Joe Biden për ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e hyrjes në ShBA.

Lista e zezë përbën një mekanizëm të mirë në vendet me korrupsion të lartë. Ky lloj sanksionimi, ndihmon edhe në pastrimin e elitës politike nga dekriminalizimi, çka ndihmon shumë gjithashtu në vetë procesin e reformave në vend, si dhe për rrugën eurointegruese të vendit.

Përndryshe, më 8 dhjetor, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës. Grupi udhëhiqet nga afaristi serb, Zvonko Veselinoviç, të cilin departamenti i Thesarit e cilësoi si shef të grupit të krimit të organizuar dhe një nga figurat më famëkeqe të korruptuara të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button