USHT, promovohet monografia ‘Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët, prej vitit 1844-1999’

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës dje u promovua monografia “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët, prej vitit 1844-1999”, e autorit, Prof. dr. Nusret Pllana.

Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti theksoi se librat, apo monografitë e ndryshme nga fusha e historisë shkruhen për t’i sjellë të vërtetat e periudhave të ndryshme, për të cilat historianët u referohen fakteve dhe dëshmive historike.

Po ashtu, ai vlerësoi se edhe kjo monografi është e këtij niveli shkencor, sepse është shkruar mbi bazën e ngjarjeve tronditëse dhe tmerrit që kanë përjetuar shqiptarët nga pushtuesi serb.
“Kjo monografi, ka vlera të veçanta historike, sepse në formën më të argumentuar denoncon gjenocidin e bërë mbi popullin shqiptar nga regjimi më i egër dhe më çnjerëzor që ka njohur ndonjëherë historia e njerëzimit”, tha Rektori Ameti.

Autori, Prof.dr.Nusret Pllana, para auditorit në amfiteatrin e USHT-së, konfirmoi se dalja në dritë e monografisë e terrorit serb mbi shqiptarët zgjoi interesin e opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtarë.

Kjo monografi, deri më sot ka depërtuar në bibliotekat më të njohura botërore, dhe është promovuar në mbi dyzet shtete në mbarë botën, si SHBA, Australi, Norvegji, Suedi, Rumani, Francë, Britani të Madhe, dhe shumë shtete të tjera me ndikim ndërkombëtar.

Prof. dr.Nebi Dervishi, ligjërues në Katedrën e historisë në USHT, para pjesëmarrësve,  vuri në dukje se autori është përpjekur të sjellë para lexuesit pikat kulmore të gjenocidit serbomadh sipas skenarëve të kohëpaskohshëm të bashkërenduar me shovinistët fqinjë. Me këtë trajtim, për lexuesin bëhet e qartë, se nga Beogradi e nëpërmjet Beogradit, gjithnjë kombit shqiptar dhe gjymtyrëve të tij i kanë ardhur rreziqe me rrjedhoja të shfarosjes fizike, kombëtare dhe materiale, nga më rrëqethëset.

Sipas tij, autori i ka sjellë historiografisë shqiptare një vepër monumentale me vlera. “Kjo vepër zbardh të kaluarën e zezë, të kaluarën e errët historike të shqiptarëve të Kosovës e të trevave të tjera lindore shqiptare në dy shekujt e fundit, të cilët me krenari, moral kombëtar dhe dinjitet njerëzor e kombëtar të papërkulur u kanë bërë ballë dhe mbijetuar ofensivave shtazarake pushtuese, ushtarake, policore, politike e mitike serbe”, theksoi mes tjerash profesor Nebi Dervishi.

Në promovimin e kësaj vepre foli edhe Doc. dr.Fatmir Sulejmani, i cili u shpreh se, edhe përpara Nusret Pllanës, është shkruar për dhunën e egër serbe, po nuk është përgatitur kurrë një libër që dokumenton me kaq detaje të bindshme atë tmerr si vepra ,,TERRORI I SERBISË PUSHTUESE MBI SHQIPTARËT 1844 – 1999.  /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button