Rufi Osmani: Ne nuk kemi takat për të vjedhur

Karvani i Rilindjes Demokratike Kombëtare, mbrëmë u përqendrua në komunat Tearcë dhe Zhelinë. Ndërkaq në tubimet zgjedhore në Sllatinë, Zhelinë dhe Dobrosht, u prezantua platforma zgjedhore e kandidatëve për kryetar të këtyre dy komunave të rajonit të Tetovës, Ramdan Idrizi dhe Beqir Çerkezi.

“Ne dalim para jush kokëlartë, pa hipoteka, pa zullum pas nesh, dalim krenarë para jush sepse ne kemi dëshmuar se kemi zotësi, kemi vizion të bëjmë vetëm punë të mira. Oponenti ynë tha se Rufi Osmani nuk ka takat, ndërsa ne i çojmë atij një selam se ne nuk kemi takat për të vjedhur, për të mashtruar popullin  tonë. Rufi Osmani ka pasur fuqi intelektuale dhe morale, ka dëshmuar në Oksford, Kran Montana, Kuvajt, atje ku dëshmohet intelektualiteti dhe politika moderne, ndërsa atij zotëriu unë i rekomandoj t’i lejë fjalët për macen dhe miun, të mos bëjë politika nëpër çajtore, por të shkojë të bëjë politikë në kabinetin e Gruevskit, aty ku është qeveria, aty ku merren vendimet”, theksoi Rufi Osmani në Sllatinë.

Ai tha se qytetarët duhet të shohin programet zgjedhore të partisë së Gruevskit, e cila investon vetëm për maqedonasit.

 “A ka diskriminim më të madh sesa diskriminimi që ua bën shqiptarëve kjo qeveri duke me diskriminimin financiar duke ua mohuar kështu të tashmen dhe të ardhmen? Ndërsa dikush del me slloganin ‘Bashkë ndërtojmë’, e që nënkupton se ata bashkë ndërtojnë, por ndërtojnë bashkë me Nikolla Gruevskin ‘Shkupin 2014’, ndërtojnë të ardhmen e maqedonasve e jo të shqiptarëve. E vetmja punë që e bën BDI është se i mashtrojnë shqiptarët me marketing politik, me kërcënime për vendin e punës dhe me oferta të rrejshme”, nënvizoi Osmani.

Ai bëri të ditur se komunë e Gostivarit shumë shpejtë do ta vizitojë kryetari i Stambollit, qytet ky me buxhet prej 30 miliardë eurosh, ku ai do të rikonfirmojë premtimet për investime konkrete në infrastrukturë, ekonomi dhe arsim.

Fjalime para të pranishmëve mbajtën edhe kandidati për kryetar komune të Tetovës – Izet Zeqiri, shefi i shtabit qendror zgjedhor – Artan Dika dhe bartësit e listave për këshilltarë për komunat Tearcë dhe Zhelinë.

Lajme të ngjashme

Back to top button