Ahmeti: Maqedonia nuk bën të ndahet, në ishte ashtu do e ndaja në 2001-shin

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka qenë mysafir në emisionin “360 Gradë” të gazetarit nga Shqipëria, Artur Zheji. Ai mes tjerash ka folur për marrëveshjen e Ohrit, luftën e 2001-shit, zgjedhjet lokale, incidentet e fundit në Maqedoni, bashkëpunimin me PDSH-në.
Një pjesë nga intervista:

Artur Zheji: Zoti Ahmeti, pse duhet të bindni palët, ku në Marrëveshjen e Ohrit (dhe jo më kot bëra pyetjen e parë për Marrëveshjen e Ohrit) është e sqaruar se me hyrje në fuqi të kësaj marrëveshjeje, është një standard i ardhshëm, i pritshëm i Republikës së Maqedonisë… Pas 12 vjetësh, siç thatë ju vetë, duhet që të argumentojmë, të bëjmë negociata për të zbatuar një pikë të vendosur dhe të firmosur? 

Ali Ahmeti: Këtu është çështja, se në Marrëveshjen e Ohrit ka mbetur e pashpjeguar në detaje. Që do të thotë çështja e përdorimit të gjuhës ka mbetur vetëm në parim. Do të thotë, që në Marrëveshjen e Ohrit është e sanksionuar që gjuhën të cilën e flasin mbi 20 % të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, jo e ngjashme me maqedonishten, gjithashtu edhe gjuha e tyre është gjuhë zyrtare, siç do të sanksionohet me ligj. Këtu kemi konfrontimet ne… 

Artur Zheji: Kjo në fakt është edhe pika ku sulmoheni shumë edhe nga partia tjetër shqiptare që ju akuzon juve se nuk po bëni hapat e duhur për të implementuar Marrëveshjen e Ohrit… 

Ali Ahmeti: Në rregull është që partia shqiptare është parti opozitare dhe ajo do të jetë prezente me qëndrimet e veta. Sepse partia shqiptare, që akuzon pikërisht në këtë pikë, ka qenë 15 muaj dhe pati shans që ta rregullonte këtë çështje. Është avancuar gjuha shqipe në Maqedoni. 

Artur Zheji: Në çfarë drejtimi është avancuar?

Ali Ahmeti: Mund të them në të gjitha drejtimet. Po e fillojmë nga pasaporta. Kjo është pasaportë e shqiptarit të Maqedonisë. Ky është identiteti i shtetit. Kjo është pasaportë dhe në gjuhën shqipe, është dokument zyrtar. Kjo është letra e njoftimit. Karta e identitetit edhe në gjuhën shqipe. Kjo është patentë shoferi, edhe në gjuhën shqipe. Kjo është karta e sigurimit shëndetësor. Të gjitha të dhënat pacienti i ka në qendër, edhe në gjuhën shqipe. Cili është identiteti që e dallon një komb? Është gjuha, është flamuri, është ky flamur. Pa ma tregoni ju dhe të gjithë ata që mendojnë që shqiptarët nuk kanë avancuar në Marrëveshjen e Ohrit? Cili shtet përdor edhe flamurin e një shteti tjetër? 

Artur Zheji: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtete të ndryshme… 

Ali Ahmeti: Nuk është arritur aq lehtë për t’u zyrtarizuar për përdorim edhe me ligj. Çdo kryetar komune është i obliguar që në bisedën e tavolinës në vizita zyrtare dhe në përdorim ditor, flamurin ta ketë në tavolinën e punës, përndryshe ka 5 mijë euro dënimin. Ka shumë thashetheme se flamuri shqiptar është i zvogëluar! Unë do ju kisha lutur ju dhe të gjithë opinionin të mos bijë në ndikim të propagandës ditore për qëllime politike. Flamuri shqiptar është konform Kushtetutës që e përcakton dhe ligjit që e përcakton. Unë nuk kam mandat, as të zvogëloj, as të zmadhoj, as të ndryshoj flamurin kombëtar, sepse ky flamur nuk është as i shqiptarëve të Maqedonisë, aq i atyre të Shqipërisë, as të Kosovës, aq të Luginës së Preshevës, as të Malit të Zi. Ky është flamuri i kombit dhe për të ndryshuar dimensionet apo pamjet duhet Referendum Kombëtar. Ta sqarojmë njëherë e përgjithmonë propagandën, se flamuri shqiptar në Maqedoni është i zvogëluar. Asnjë nuk ka mandat për një gjë të tillë. Po vijojmë. Kjo është rregullorja e Parlamentit… është në gjuhën shqipe. Këtu ke vendime, unë që jam njëri nga deputetët që më së paku di maqedonisht, nuk kam nevojë për të më ndihmuar kurrkush, pasi çdo dokument e kam në gjuhën shqipe në parlament. Këto janë dokumente zyrtare, ju lutem verifikojini, çdo dokument, projektligje, amendamente janë në gjuhën shqipe. Ky është rendi i ditës i qytetit të Shkupit, jo vetëm i parlamentit. Këtu është vendimi i qytetit të Shkupit, edhe shqip edhe maqedonisht, aktvendim në gjuhën shqipe e ka emrin. Këtu ke vendimin për ndryshimin e rrugëve maqedonisht edhe shqip. Këtu është letra e njoftimit të makinave, edhe në gjuhën shqipe, edhe në gjuhën maqedonase. Po them që dallimet për të përmbyllur tërësisht gjuhën shqipe jam shumë i sigurt që janë hapat e fundit për ta bërë këtë. 

Artur Zheji: Sa mendoni që do të vijojë cikli për ata që ju quajtët hapat e fundit? 

Ali Ahmeti: Hapat e fundit janë mandati. Që do të thotë se pas 2 vitesh unë mendoj se kjo çështje do të sanksionohet përfundimisht dhe do të mbyllet kjo temë përfundimisht. 

Artur Zheji: Pse doni të bashkëjetoni me maqedonasit, kur Akademia e Maqedonisë, që është elita e kulturës maqedonase, mendon, madje ka bërë gati planin e ndarjes? 

Ali Ahmeti: Ndarja e Maqedonisë, atëherë dhe sot ka pasur pasoja për të dyja palët, edhe për shqiptarët, edhe për maqedonasit. Pse të dëmtohen dy popuj, ku ata mund të ndërtojnë ura komunikimi, mund të bashkëjetojnë. Kemi bashkëjetuar historikisht nën Perandorinë Osmane, kemi bashkëjetuar nën Perandorinë Jugosllave. Në të kaluarën gjatë periudhës Osmane, 2 popujt, (maqedonasit dhe shqiptarët) nuk kanë pasur konfrontime, konfrontimet kanë ardhur pas vendosjes së mbretërisë serbe-kroate-sllovene, pas pushtimit të Serbisë të këtyre hapësirave. Deri në ‘44 Maqedonia ka qenë Serbia Jugore. Një sërë objektesh këtu, si parlamenti janë objekte të Banovinës dhe Vardarit. Kjo do thotë se deri në ‘44 të pushtuar kanë qenë dhe shqiptarët, edhe maqedonasit nga Perandoria Serbe. Nuk kanë guxuar maqedonasit të flasin gjuhën e tyre, të kultivojnë gjuhën e tyre, të kenë shkollat e tyre edhe shqiptarët edhe maqedonasit kanë mësuar serbisht. Këtë debat unë e kam zhvilluar edhe me autoritetet vendore këtu, duke filluar që nga Branko Crvenkovski dhe Nikola Gruevski dhe kam folur shumë hapur, siç flas me ju. Dhe këto tema unë i trajtoj në aspektin njerëzor dhe i kam thënë, si mundeni tani, në të kaluarën ju i keni mohuar gjuhën, kulturën arsimin bashkëqytetarëve tuaj shqiptarë, kur ju edhe në ‘44 keni qenë të pushtuar dhe nuk keni guxuar të flisni gjuhën amtare. Atëherë çfarë pengese ka kur unë mësoj gjuhën time, çfarë e pengon Maqedoninë, Universitetin e Tetovës dhe shtrirja e Universitetit të Tetovës që nga Struga dhe deri në Kumanovë. Asnjë pengesë, përkundrazi, atëherë unë jam luajal ndaj shtetit, atëherë unë e dua shumë më shumë shtetin, kur unë kam universitetin, kam këto dokumente në gjuhën amtare, kur kam gazetat, kam televizionet në gjuhën amtare. 

Artur Zheji: Janë të gjithë këto komunitete në shtetin maqedonas? 

Ali Ahmeti: Po, të gjithë janë. Ky vend është interes madhor edhe i shqiptarëve, edhe i maqedonasve, që të ekzistojë dhe të zhvillohet të përparojë, sepse zhbërja dhe ndarja e këtij shteti është në dëm edhe të shqiptarëve dhe kosto e lartë madje, por edhe në dëm të maqedonasve. Po ju do më thoni se çfarë kostoje paguajnë tani shqiptarët? I dashur Artur, po të mos ishte ajo kosto e lartë, ne do e ndanim Maqedoninë, pasi e kishim mundësinë dhe forcën në 2001, por nuk ishte favorin tonë dhe nuk është akoma, pasi nuk ke si ta ndash Maqedoninë. Do të thotë ke qytete të përziera, shqiptare dhe maqedonase, do të thotë ke shqiptarë ku janë 20%, ke maqedonas ku janë në qytete shqiptare, ku janë 20%. Është shumë e komplikuar. Që do thotë, pse të mos gjejmë forcë, energji edhe shqiptarët, edhe maqedonasit të ndërtojnë interesa të përbashkëta, nuk i pengon asgjë, gjuha, as gjuha maqedonase, as gjuha shqiptare. Thua, a ka avancim në këtë drejtim, unë them që po dhe ju sjell shumë argumente të forta. Skënderbeu është në qendër të Shkupit dhe është mu në pikën më të rëndësishme të qytetit të vjetër Shkupit, domethënë tek “Ura e Gurit”. Kur është vendosur aty në vitin 2006, unë kam pritur reagime. Por jo, e kanë pranuar. Skënderbeu në 7 vite nuk ka asnjë gërvishtje më të vogël dhe nuk ka asnjë person që të shkojë dhe ta dëmtojë. Aty vendosin lule. Është hapur, është zyrtarizuar, Universiteti i Tetovës, a e dini se nëpër shumë fakultete ka maqedonas që studiojnë në gjuhën shqipe, në Tetovë, Kërçovë, Kumanovë, etj. 

Artur Zheji: Zoti Ahmeti, si shpjegohet që elementi shqiptar në Maqedoni, pavarësisht se PDSH-ja, partia e Menduh Thaçit, e themeluar nga Arbën Xhaferri është në opozitë, pse është në një opozitë kaq agresive ndaj jush. Para pak ditësh, duke dashur të bëj këtë emision, dëgjova një fjalë të një deputeti të PDSH-së në Kuvend, që thonte “Ali tradhtari”… pse duhet të shkohet në këtë ekstrem, si mendoni ju, ku mund t’ju perceptojë juve opinioni publik si tradhtar, çfarë mund të keni tradhtuar ju përtej retorikës? 

Ali Ahmeti: Nuk ka shumë motiv të flas kur nuk janë prezentë ata aktorë që bëjnë këto deklarata. Unë do desha ta kisha ballë për ballë. Mbase nuk kam mundur të bëj shumë për kombin tim, por asnjëherë nuk kam kryer tradhti, as nuk mendoj të tradhtoj, por mund të tradhtohem. Unë as moshën nuk e kam, as bagazhin që të tradhtoj dhe të bëj punë të këqija për kombin tim. Kam bërë aq sa kam mundur për çështjen shqiptare. Nuk them se jam koka e Zeusit dhe pa mua nuk është bërë asgjë për çështjen shqiptare, por atë që e kam bërë, e kam bërë me shokë, e me familje, më njohin që nga Mitrovica, më njohin që nga luftërat. Më respektojnë si njeriun e tyre, që nga Gjilani, Mitrovica, Gjakova e Karadak. Më njohin nga Struga në Tetovë. 

Artur Zheji: Ju prekin personalisht? 

Ahmeti: Jo, jo sepse unë e kam ndarë mendjen. Në vitin 2002 bënë përpjekje shumë të mira në atë kohë me z. Arben Xhaferri, Ymer Ymeri dhe si parti në pushtet ka qenë z. Xhaferri. U bë një këshill koordinues, që funksionoi nja 3 muaj dhe më pas u shpërbë. E luta z. Xhaferri që ky këshill të vijonte edhe për 4 vite, derisa të hynte në binarë të shëndoshë Marrëveshja e Ohrit. Ishte e pamundur. Erdhi z Xhaferri dhe më takoi pas takimit me partitë dhe tha: ‘është e pamundur Abaz. Bëj shtëpinë tënde’, d.m.th bëj partinë tënde dhe dili zot punës. Kur unë e ndava mendjen për politikë legale, e kam ditur që do më fyejnë, që do më shajnë, që do shpifin, por koburen e kam hequr nga brezi dhe unë merrem me politikë. Të sharat kurrë nuk i kam kthyer me të sharat, sepse nuk është në moralin e popullit që unë përfaqësoj. Sepse nuk dua të fitoj asnjë votë dhe me anë të shpifjeve, dua që qoftë edhe 1 votë në majat e maleve, ta marr me ndershmëri. Unë dal sot krenar para shqiptarëve, mbase nuk janë bërë të gjitha, kemi dhe shumë punë për të bërë, por çështja është në binarë të shëndoshë dhe për atë që do vijë pas meje, nesër do vijë Menduh Thaçi. Unë kam vënë tulla në kala, në gurë, jo unë i vetëm, por një front i tërë në BDI. Por kam vënë gurë e tulla në kalanë kombëtare shqiptare, edhe Kosovë, edhe Maqedoni edhe në Luginën e Preshevës se vetëm nuk bëhet asnjë gjë, çdo gjë bëhet me shokë e miq. 

Më shumë nga intervista në: Ballkanweb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button