Ahmeti: Nuk koalicionuam me Hasipin sepse nuk ishte në përputhje me pritjet e shumicës

Bashkimi Demokratik për Integrim në kuadër të fushatës parazgjedhore, dje mbajti dy tubime, në Vrapçisht dhe Debresh të Gostivarit.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti para banorëve të komunës së Vrapçishtit në fjalimin e tij u përqëndrua në arsyet, për shkak të së cilave nuk është lidhur koalicion me PDT-në dhe paraqitje të përbashkët në këto zgjedhje.

Sipas Ahmetit, kërkesat e Qenan Hasipit nuk kanë qenë në përputhje me pritjet e shumicës së qytetarëve në komunën e Vrapçishtit dhe për këtë arsye bashkëpunimi është ndërprerë.

Vazhdim të projekteve të filluara dhe zhvillim më të shpejtë premtoi edhe Bajram Kadria, kryetar aktual dhe kandidat për edhe një mandat për kryetar komune nga radhët e BDI-së, për komunën e Vrapçishtit. Mbështetje nga votuesit kërkoi edhe bartësi i listës Ahmet Aliti.

Në tubimin në fshatin Debresh, kandidati për kryetar të komunës së Gostivarit Nevzat Bejta, nga foltorja banorëve u premtoi ndërtim të kanalizimit dhe përfundim të sallës sportive, e cila, siç theksoi nuk ka përfunduar për shkak të raportit intern të kryetarit aktual të komunës Rufi Osmani.

Qytetarëve të pranishëm në Debresh iu drejtuan edhe bartësi i listës Nasir Musliu dhe kandidatët për këshilltarë nga ky vendbanim. 

Lajme të ngjashme

Back to top button