Eurointegrimet temë kryesore e bisedimeve të Westerweles me kreun shtetëror

Eurointegrimet e Maqedonisë dhe situata aktuale në vend do të jenë temat kryesore në takimin e sotëm të ministrit të  Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwele me kreun shtetëror të Maqedonisë.

Siç kumtuan nga MPB-ja dhe Ambasada gjermane në Shkup, Westerwele do të takohet me presidentin e shtetit Gjorge Ivanov, me zëvendëskryetarin e qeverisë për eurointegrime, Fatmir Besimi dhe me shefin e diplomacisë Nikolla Poposki. Është parashikuar që ai të bisedojë edhe me kryetarin e opozitës së LSDM-së, Branko Cërvenkovski.

Para arritjes në Shkup, dje pasdite ai bisedoi në telefon me kryeministrin Nikolla Gruevski.

“Në përgjigjen e tij, kryeministri Gruevski ka shprehur falënderim për përkrahjen e vazhdueshme që eurokomesari Fyle ia jep Republikës së Maqedonisë dhe procesit reformues në të cilin punojmë të gjithë bashkërisht. Kryeministri Gruevski ka shprehur edhe keqardhje për vështirësitë për tejkalimin e sfidave politike, pas ngjarjeve të 24 dhjetorit dhe sjelljes destruktive të opozitës, duke theksuar se është i vetëdijshëm për atë se çfarë rreziku paraqet ajo në kontekst të agjendës evropiane. Ai ka falënderuar për përkrahjen që Gjermania ia jep vendit tonë në shumë sfera, e veçanërisht në integrimet evropiane dhe euroatlantike “, informoi zëdhënësi qeveritar Aleksandar Gjorgjiev.

Gjatë bisedimeve me kreun shtetëror të vendit pritet të shqyrtohen edhe mundësitë për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

“Gjermania shikohet si një nga partneret kyçe të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në pajtim me partnerët evropianë, ministri Westerwele do ta shfrytëzojë vizitën për vërtetimin e pritjeve të ndërlidhura me proceset reformuese në vendet e rajonit dhe progresin e tyre”, thuhet në kumtesën e Ambasadës. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button