Ushtria kineze, në krye të spiunazhit elektronik

Një degë sekrete e ushtrisë së Kinës ka gjasa të jetë një nga grupet më profesionale të spiunazhit elektronik në botë, thotë një firmë informatike amerikane.

“Mandiant” thotë se Njësia 61398 mendohet të ketë vjedhur qindra informacione nga të paktën 141 organizata në mbarë botën. Kompania amerikane gjurmoi sulmet, duke arritur në një ndërtesë të fshehtë në Shangai që përdorej nga Njësia.

Kina vazhdimisht mohon përfshirjen e saj në piraterinë informatike ndaj firmave të huaja dhe qeverive të vendeve të tjera. Krerët e ambasadës kineze në Washington deklaruan për “New York Times” se sulmet elektronike janë ilegale në bazë të ligjit kinez dhe se qeveria kineze nuk përfshihet në to.

Në një raport të sajin, kompania “Mandiant” njofton se ka hetuar qindra shkelje të të dhënave që prej vitit 2004, shumica e të cilave i atribuohen atyre që ajo quan aktorë që përbëjnë “Kërcënim të Avancuar dhe të Vazhdueshëm”.

“Detajet e zbuluara na bindin se grupet që kryejnë aktivitete të tilla e kanë bazën në Kinë dhe se qeveria kineze është në dijeni të tyre”, thotë raporti i kompanisë amerikane.

Një nga grupet më të rrezikshme mes këtyre aktorëve është APT1, që sipas “Mandiant” është një organizatë operatorësh që ka kryer spiunazh elektronik kundër një numri të madh viktimash që prej vitit 2006.

Lajme të ngjashme

Back to top button