Avokati i Popullit: Policia të zbardhë rastet e dhunës ndaj nxënësve
Ky institucion është shprehur i shqetësuar për dhunën në rritje ndaj fëmijëve, ndaj u ka kërkuar organeve kompetente të ndërmarrë masa të shpejta dhe efektive për identifikimin e dhunuesve dhe zbardhjen e plotë të rastit.
Avokati i Popullit konsideron se vetëm reagimi i shpejtë i institucioneve mund të parandalojë dhunën e mëtejshme mbi fëmijët, me çka, siç thuhet, do të krijohen kushte për tolerancë midis fëmijëve, të rinjve dhe të popullatës në përgjithësi.
“Sulmet mbi të rinj, por edhe manifestimi i mosdurimit mbi baza etnike, çojnë drejt ndarjeve edhe më të thella e që, nga ana tjetër, janë shkatërruese për shoqërinë tonë e cila është shumetnike dhe lehtësisht e cenueshme, sidomos sepse të gjithë jemi të vetëdijshëm se një dhunë nxitë dhunën tjetër. Avokati i Popullit i fton të gjithë faktorët në shoqëri të jenë të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë të cilat i bartin dhe të punojnë në pengimin e ngjarjeve të këtilla të dhunshme, me qëllim të edukimit të popullatës së re, e cila do t’i vlerësojë dhe respektojë dallimet”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit./Portalb