Ismailoviç: Asnjëherë s’kam qenë në liqenin e Hekuranës

14:30 Në Gjykatë të akuzuarit për rastin “Monstra” kanë dalë me mbrojtjet e tyre.

“Asnjëherë nuk kam  qenë në Liqenin e Hekuranës dhe nuk kam marrë pjesë në vrasjen e pesëfishtë”, ka deklaruar Agim Ismailoviç, i akuzuar në rastin “Monstra”.

Në vazhdimësi të procesit gjyqësor ai i hodhi poshtë akuzat  duke thënë se nuk është e vërtetë ajo që e ka deklaruar dëshmitari i mbrojtur dhe një nga të akuzuarit, Haki Aziri.

Ditën e vrasjes së pesëfishtë, ai tha se ka qenë katër deri në pesë herë  për t’u falur në xhaminë në Hasanbeg, ka qenë i zënë me punimet me  kanalizimin e shtëpisë së tij, ndërsa rreth orës 18.30/19.00 ka qenë  në punë në orarin e natës, në një internet kafe në Hasanbeg.

Në këtë internet kafe ka punuar edhe vëllai i tij Afrim Ismailoviç dhe Alil Demiri, të cilët për momentin gjenden në arrati.

“Rreth Liqenit të Hekuranës kemi kaluar kur kemi shkuar në varreza, por asnjëherë nuk kam qenë në këtë liqe”, tha ai.

Për vëllain e tij Afrimin thuhet se nuk dihet se  ku është dhe se nuk e ka parë që nga fundi i prillit. As ai, e as vëllai i tij asnjëherë nuk kanë qenë në Afganistan apo në ndonjë shtet tjetër arab.

Avokati Naser Raufi tha se dëshmitë nuk korrespodojnë me atë për të cilën janë akuzuar.

“Në vazhdim të seancës, do të argumentojmë me dëshmitarët tonë se ku kanë qenë ditën e ngjarjes. Ne kemi dëshmi për çdo sekondë e për çdo minutë se më 12 prill të vitit të kaluar, se të akuzuarit nuk kanë qenë në vendin e vrasjes. Deri tani prej dy dëshmive paraprake dolën dy situata faktike të ndryshme, ky dy dëshmitarë flasin për dy vende të cilat nuk kanë të bëjnë aspak me vendin e ngjarjes, dhe kjo do të argumentohet. Sipas kësaj dinamike unë mendoj që sigurisht do të ketë edhe 7-8 procese pasi që edhe duhet që dëshmitarët ti paraqesim para gjyqit” 

/Portalb

********************************************************************************************

11:13 Pasi që prokurorja Gordana Geshkovska e lexoi akt akuzën, pritet që të akuzuarit ta paraqesin mbrojtjen e vet para gjyqit.

Ngjarja kryesore për këtë rast u anulua kur gjyqi e pranoi kërkesën e avokatëve të të akuzuarve që të bëjnë këqyrje  të lëndëve.

Procesi gjyqësorë  për vrasjen e pesëfishtë e cila e tronditi tërë vendin filloi më 20 dhjetor, ndërsa në bankën e të akuzuarve u ulën Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Rami Sejdi dhe Haki Aziri. Gjykimi është xhiruar me dy kamera. Ndërsa dy të akuzuarve tjerë të Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq të cilët janë në arrati, do t’u gjykohet edhe pse mungojnë.

Sipas prokurorisë, gjashtë persona janë të akuzuar për terrorizëm, përveç Haki Azirit, i cili është akuzuar për ndihmë.
Sipas akt akuzës, të akuzuarit kanë pasur për qëllim që me rrezikimin e jetës dhe të trupit të krijojnë pasiguri dhe frikë tek banorët, kështu që mizorisht dhe në mënyrë tinëzare i kanë privuar nga jeta pesë persona nga nacionaliteti maqedonas.

Në akt akuzën, përveç të akuzuarve përmenden edhe disa persona tjerë të panjohur të cilët kanë qenë bashkë me të akuzuarit. Si autor të vrasjes janë akuzuar Afrim dhe Agim Ismailoviqi dhe Alil Demiri. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button