Trump dhe Biden të dy me tubime në Florida, shtet me nivele të ngjashme të mbështetjes në mesin e votuesve
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe sfiduesi i tij në zgjedhjet presidenciale, Joe Biden, mbajtën tubime në shtetin kritik zgjedhor të Floridës.“Donald Trump është dorëzuar” përballë pandemisë së koronavirusit, tha Biden, njofton Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
Biden “do t’ju mbyllë brenda”, tha Trump, duke iu referuar izolimeve kombëtare nga pandemia.
Shtetet e Bashkuara janë duke shënuar aktualisht shifra rekorde të rasteve me koronavirus dhe numri i përgjithshëm i tyre është duke iu afruar 9 milionshit.
Me vetëm pesë ditë deri në zgjedhjet e 3 nëntorit, Biden prin në sondazhet e opinionit në shkallë kombëtare.
Por, avantazhi i tij duket më pak i sigurt në shtetet e lëkundura, ku dy partitë kanë nivele të ngjashme të mbështetjes në mesin e votuesve.
Një nga to është edhe Florida.
Florida ka po ashtu 29 vota elektorale.
Një kandidati i duhen 270 vota të tilla për të fituar udhëheqjen e Shtëpisë së Bardhë, të cilat nuk përcaktohen nga vota popullore, por nga fitorja në shtetet veç e veç.
Mbi 81 milionë amerikanë tashmë kanë votuar në zgjedhjet presidenciale – 52 milionë prej tyre me postë.
Më shumë se 75 milionë njerëz kanë votuar tashmë gjashtë ditë përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve, më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të votave që u hodhën në vitin 2016.
Ekspertët e votimit thonë se pjesëmarrja mund të jetë më e larta që nga viti 1908, kur arriti në 65%.