Kontejnerët nëntokësorë, akoma jofunksional!

Projekti për vendosjen e kontejnerëve nëntokësorë në Shkup, po ec sipas dinamikës së parashikuar. Kështu tha drejtori i Ndërmarrjes publike ‘Higjiena Komunale’, Rakip Doçi.

Kontejnerët nëntokësorë, do të vendosen në 15 lokacione, prej tyre një në Komunën Çair (në Bit Pazar) dhe 14 në atë të Qendrës. 

Qëllimi i këtij projekti është shmangia e aromës së pakëndshme që përhapin kontejnerët klasik.

‘Brenda dy muajsh pritet të përfundon realizimi dhe të fillojë funksionimi i këtij sistemi. Kontejnerët janë të vendosur në gropa të cilat fillimisht i kemi betonuar dhe mes këtyre platformave vendosen vetë kontejnerët prej tre metrash kub. Kjo ka sistem hidraulik për tu lëshuar në tokë, dhe mbi sipërfaqen tokësore ngel vetëm ajo pjesa që është estetikisht e dizajnuar bukur, mbeturinat janë nëntokë dhe pengohet përhapja e aromës që mund të vijë nga kontejnerët klasik’ tha Doçi.

Pas përfundimit të projektit në Komunën Qendër, pritet vendosja e sistemeve të tilla edhe në Çair dhe Kisella Vodë, paralajmëron ai.

‘Kemi shpallur tenderin e ri ku edhe në tre lokacione të tjera në Komunën Çair, do të vendoset sistem i tillë për mbeturina dhe po ashtu në tre lokacione në atë të Kisella Vodës. Realizimi do të filloj brenda dy muajve’ premtoi Doçi.

Projekti financohet nga Qyteti i Shkupit, Komuna Qendër dhe Higjiena Komunale me pjesëmarrje të barabartë, ndërsa kushton rreth 33 milion denarë. Vendosja e tyre ka filluar në fillim të dhjetorit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button