RDK: kthehemi në Parlament të gjejmë fajtorët e dhunës së 24 dhjetorit

Deputetët e RDK-së sot e ndërprenë bojkotin e tyre në Parlament dhe lajmëruan se deri te të gjithë grupet parlamentare, përfshirë edhe ata të opozitës të cilët janë jashtë parlamentit, do paraqesin propozimin e tyre për formimin e komisionit hetues për zbardhjen e ngjarjeve që ndodhën më 24 dhjetor të vitit të kaluar.

“Për shkak se asnjë parti nuk ka ndërmarrë masa për zbardhjen e situatës, ne kemi propozim-vendim për krijimin e një komisioni hetues për verifikim të ndodhive në Parlamentin e Repubikës së Maqedonisë që ndodhën më 24 dhjetor. Propozojmë të përcaktohen dhe konstatohen  arsyet për dëbimin e deputetëve dhe gazetarëve nga parlamenti. Kërkojmë të përpilohet raport për tejkalimin e kësaj situate, dhe për këtë duhet të diskutohet në seancë plenare”, deklaroi deputeti i RDK-së Izet Zeqiri
 
Që të mund të formohet komision hetues, RDK do të duhet të ketë përkrahje nga më së paku 20 deputet. Në të parashihet të jetë edhe kryetari dhe gjashtë anëtarë në afat prej 30 ditëve të përgatisin raportin për ngjarjet e 24 dhjetorit dhe ajo të shqyrtohet në seancë plenare.

Përderisa propozimi i tyre nuk pranohet dhe nuk përcaktohet përgjegjësia dhe arsyet, Zeqiri mendon se nuk do të ketë zgjidhje të krizës politike. “Kjo është mënyra më e mirë për inicimin e zbardhjes së kësaj situate”, thotë deputeti i RDK-së.

Zeqiri tha se RDK i respekton rekomandimet e bashkësisë ndërkombëtare që gjithçka të zgjidhet në kuadër të institucioneve. Arsyeja e dytë për kthimin në parlament sipas Zeqirit është ajo se pushteti e shfrytëzon këtë situatë kur nuk ka opozitë dhe propozon ligje me procedurë të shkurtë dhe atë ligje për sigurim dhe interesa personale. Ai lajmëroi se do të propozojë ligj i cili parasheh sigurimin personal edhe për deputetët dhe atë nga dy truproje.

Ai shtoi se RDK do të ketë kandidatët e vet në zgjedhjet lokale në Mars dhe konfirmoi se ai është kandidati i partisë për komunën e Tetovës, ndërsa Rufi Osmani përsëri do të kandidohet për prefekt në Gostivar. RDK do ketë kandidatin e saj edhe në Dibër.

Lajme të ngjashme

Back to top button