Shkup, dorëhiqet drejtori i Shtëpive studentore, në vend të tij një e afërt me VMRO-në

Drejtori i Shtëpive studentore në Shkup, Kreshimir Paviç, ka dhënë dorëheqje nga funksioni i tij, njoftojnë nga Ministria për arsim.

Paviç, i cili po kryente këtë funksion që nga shkurti i vitit 2007, do të zëvendësohet nga Daniela Temellkova e cila deri më tani ka qenë drejtoreshë e një çerdhe fëmijësh.

Funksionin e tij do ta kryejë Daniela Temellkova, pedagoge e diplomuar në Fakultetin filozofik të Universitetit “Shën Qirili dhe Metodi”. Ajo ka punuar si pedagoge në foshnjoren “Buba Mara” në lagjen Aerodrom të Shkupit, ku nga viti 2010 kryen funksionin e drejtoreshës.

Gazeta “Utrinski vesnik”, në vitin 2010, kur ajo u emërua si drejtoreshë e foshnjores “Buba Mara” publikoi një letër anonime ku të punësuarit kishin deklaruar se Këshilli drejtues i foshnjores ka thyer procedurat e zgjedhjes së drejtorëve, sepse për atë funksion është kërkuar që personi të ketë përvojë pune katër vjeçare, ndërsa kandidatja e zgjedhur kishte përvojë vetëm një vit e gjysmë. Nëpërmjet kësaj letre ata kishin informuar se Daniela Temellkova është kushërirë e afërt me zëdhënësin e partisë maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, Aleksandar Biçikliski dhe si pasojë e presionit të tij ndaj Këshillit drejtues, ajo ishte zgjedhur si drejtoreshë e foshnjores.

Nga Ministria nuk japin ndonjë informatë në lidhje me atë se pse ka dhënë dorëheqje Paviç.

Përndryshe, shtëpitë studentore gjatë viteve të kaluara janë ballafaquar me akuza dhe ankesa të shumta nga ana e studentëve, në lidhje me kushtet e këqija në këto objekte./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button