Banorët e Maqedonisë të dhënë pas alkoolit

Në bazë të të dhënave nga Organizata botërore e shëndetësisë, Maqedonia renditet e parafundit sa i përket konsumimit të alkoolit në shtetet ballkanike. Këtë konstatim OBSH-ja e ka bërë duke vlerësuar gjendjen faktike në të gjitha shtetet gjatë 15 viteve të fundit ku konsumohet alkool. 

Sipas këtyre statistikave shtetasit e Maqedonisë brenda një viti për kokë banori mesatarisht konsumohet 8.51 litra alkool. 

Problemi i përdorimit të alkoolit sot është bërë një nga problemet madhore në botë. Nuk janë të pakta rastet e të rinjve, të cilët gjithnjë e më shumë janë shtuar edhe në Maqedoni dhe që nën efektin e alkoolit bëhen agresiv dhe shfaqin sjellje violente në shoqëri. Në shume raste, vetëvrasjet apo tentativat për vetëvrasje ndodhin pikërisht në të rinj që kanë rënë nën ndikimin e alkoolit. 

Në lidhje me këtë fenomen, sociologia Aneta Popilovska tregoi se cilat janë arsyet që rinia masovikisht përballet me këtë problem. Ajo tha se ndër shumë faktor tjerë, rol të madh luan edhe faktori ekonomik.

“Në shumicën e rasteve të rinjtë vijnë deri tek alkoolizmi nga faktori ekonomik. Sepse çmimet e alkoolit në kafene dihet se janë shumë të larta, dhe të rinjtë të cilët shumica janë të papunë nuk mund t’ia lejojnë atë luks vetvetes, dhe mu për atë shkak konsumimin e alkoolit e bëjnë në atmosfera shtëpiake. Mund t’i shihni të rinjtë duke pirë  nëpër parqe, sepse në atë mënyrë më lirë mund ta sigurojnë alkoolin, dhe ashtu argëtohen më shumë. Kjo është njëra arsye , ndërsa tjetra është edhe mungesa e diversitetit për aktivitete. Nuk kanë me çfarë të angazhohen dhe e gjejnë alkoolin si mjet për rritjen e disponimit, madje jo vetëm me alkool, por edhe me ekstazë dhe mariuhanë. Ndërsa rastet kur kjo bëhet varësi ndodhin për shkak të sistemit tradicional të jetesës këtu në vend, sepse ne nuk e kemi shprehi të shkojmë tek psikologu dhe psikiatri të  diskutojmë në lidhje me problemet tona, dhe alkooli është varianti të cilin më shpesh e përdorin për të rregulluar disponimin dhe pjesën shpirtërore”, tha Popilovska. 

Ajo më tej shtoi se në ditët e festave, e sidomos të atyre të fund vitit mund t’i shihni rastet e shumta të helmimeve nga alkooli në toksikologji .

Nga MPB-ja thonë se ndikimi i alkoolit gjatë vozitjes në komunikacion është një rrezik i madh jo vetëm për personat që kryejnë atë veprim kundërligjor, por edhe për personat e tjerë të pafajshëm që vozisin në komunikacion. Andaj qytetarët duhet pasur kujdes gjatë konsumimit të alkoolit, që mos të humbin vetëdijen dhe pastaj të shkaktojnë veprime kundërligjore për të cilat do të përgjigjen penalisht. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button