Ballkani serish në rrezik lufte

“Pa gjasa për kyçje në BE dhe NATO dhe rrumbullakësimin e reformave të brendshme të nevojshme për plotësimin e kushteve, një pjesë e rajonit mundet sërish të zhytet në zonën gri të konflikteve madje edhe përleshjeve të armatosura”, shkruan Bugajski në analizën e tij të fundit.

Analisti i njohur amerikan Janusz Bugajski vlerëson se nëse vazhdon vonesa e integrimit në NATO dhe BE, rajonit të Ballkanit Perëndimor sërish i kanosen konflikte të armatosura. Një paralajmërim të tillë Bugajsi e ka bërë në analizën e shkruar në gazetën boshnjake “Dnevni Avaz”, të cilën e ka trasmetuar gazeta “Lajm”

“Paralajmërimet e Klinton poashtu kanë mundur të dëgjohen gjatë vizitës së saj. Pa gjasa për kyçje në BE dhe NATO dhe rrumbullakësimin e reformave të brendshme të nevojshme për plotësimin e kushteve, një pjesë e rajonit mundet sërish të zhytet në zonën gri të konflikteve madje edhe përleshjeve të armatosura”, shkruan Bugajski në analizën e tij të fundit, duke theksuar se për pengimin e përsëritjes së skenarëve të këqija në rajon, nevojitet angazhim i përbashkët i SHBA-ve dhe BE-së.

Ai shpreh vlerësimin e vet edhe lidhur me anashkalimin e Shkupit dhe Podgoricës nga agjenda e vizitës së zonjës Klinton në Ballkan. “Dy vendet që ashiqare kanë munguar në planin e rrugëtimit të Klinton janë Mali i Zi dhe Maqedonia. Derisa Mali i Zi perceptohet si storie relativisht e suksesshme që nuk kërkon urgjencë të drejtpërdrejtë për kualifikim në NATO dhe BE, Maqedonia është ngatërruar në zonën e askujt mes Athinës dhe Brukselit”, vlerëson Bugajski.

Sipas analistit të njohur amerikan, Serbia dhe Kosova paraqesin probleme më të rënda për SHBA-të, sepse edhe më tej janë në konflikt lidhur me statusin dhe shtetësinë. Klinton ka dëshirë të nxisë negociatat mes dy qeverive nën patronatin e BE-së, me çka mund të debllokohet përparimi i këtyre dy vendeve drejt institucioneve ndërkombëtare. Kjo do të jetë një luftë e gjatë dhe e rëndë sepse sfida e keqpërdorimit të nacionalizmit kundër vendeve fqinje mbetet e fortë në të dy kryeqytetet.

Sa i përket Bosnje Hercegovinës, Bugajski vlerëson se ky vend mbetet e panjohura më e madhe për Uashingtonin, sepse është e paqartë nëse të gjithë liderët politikë janë të përkushtuar ndaj integrimeve evropiane. Anëtarëi i Institutit për Studime Strategjike me seli në Uashington, mes tjerash vlerëson se vizita e Hillary Klinton në Ballkan, ishte konfirmim i përkushtimit të mëtutjeshëm amerikan për këtë rajon dhe gatishmërinë për bashkëpunim me BE-në për tejkalimin e sfidave.

Nacionalizmi i Qeverisë maqedonase rrezikon integrimin. Administrata amerikane është e kujdesshme në nxitjen e Greqisë për të debllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, duke bë lëshime në kontestin rreth emrit. Uashingtoni është i shqetësuar për shkak të rritjes së ksenofobisë në Athinë, deri sa vendi është buzë dështimit ekonomik dhe revoltës destruktive sociale. Qeveria maqedonase, nga ana tjetër, poashtu luan me nacionalizmin, i cili rrënon gjasat e vendit për integrim evropian. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button