Spanjë, sot mbahen zgjedhjet e katërta në katër vjet
Spanjollët u janë drejtuar kutive të votimit, për zgjedhjet e përgjithshme. Ata do të votojnë në zgjedhjet e tyre të katërta të përgjithshme në katër vjet, njofton Koha.net.
Kjo pasi duke mos pasur shumicën, socialistët që i fituan zgjedhjet e prillit, kishin nevojë për mbështetjen e partive të tjera për ta formuar qeverinë, raporton KTV.
Bisedimet e dështuara me aleatin e tyre më të afërt, partinë e majtë Podemos, u shndërruan në grindje publike. Të dyja palët nuk u pajtuan për formatin e një partneriteti qeverisës.
Pa mbështetjen e ndonjë prej forcave të tjera kryesore parlamentare, Sanchezi nuk arriti që as në shtator ta formojë koalicionin e shumicës, duke shkaktuar zgjedhje të reja.
Sondazhet thonë se socialistët do të fitojnë përsëri, por nuk mund ta kenë shumicën.