Tetovarët s’kanë ide çfarë janë kartelat shëndetësore

Edhe pse zyrtarisht të enjten (1 nëntor) filloi aplikimi i kartelave shëndetësore nëpër spitalet e vendit, qytetarët e Tetovës nuk janë mirë të informuar për këtë shërbim të ri në sistemin shëndetësor.

“Nuk e di si shkon puna e kësaj kartele ende se kam marrë dhe nuk kam informata cfarë duhet bërë me të. Më thanë se nuk ka program për të zbatuar atë” tha Arsim Z, banor i Tetovs i cili në duar ende mbante librezën shëndetësore. 

 “Ne nuk kemi aplikuar për kartela shëndetësore, jem mësuar që të punojmë me librezat shëndetësorë dhe kartonët e kaltër, besoj se tani do të jetë më mirë por akoma nuk e dimë se si funksionon kjo procedurë” thotë Besim Ademi.

Përpos që qytetarët nuk janë pajisur të gjithë me kartela, ka dhe probleme me programin kompjuterik për të regjistruar të dhënat e tyre. Burime nga spitali thonë se deri vonë nuk e kanë pasur të gjithë mjekët të instaluar këtë softuer ndërsa më pas nuk kanë pasur trajnime adekuate për të përdorur atë. 

Në lidhje me këtë, udhëheqësi i ndihmës së shpejtë Gëzim Nuredini thotë se në institucionet shëndetësore në Tetovë kanë filluar ta zbatojë këtë shërbim.

“Kemi filluar me punë. Të gjithë qytetarët nuk kanë kartela shëndetësore dhe jemi të detyruar ti pranojmë edhe ato që nuk kanë kartela, në këtë rast normal punën e kryejmë me libreza shëndetësore dhe me kartona të kaltër. Sot kemi hasur edhe raste kur qytetarët nuk i kanë kartelat shëndetësore aktive, por ne u kemi ofruar shërbime atyre” thotë Nuredini. 

Ai thotë se nuk kanë probleme të mëdha me programin kompjuterik si që kanë pasur në fillim.

“Nuk kemi problem të mëdha por vetëm disa të vogla teknike të cilët i zgjedhim për pak minuta. I kemi instaluar mjetet e nevojshme ndërsa tash u ngelet mjekëve që ta shfrytëzojnë atë” tha Gëzim Nuredini, kryeshef i ndihmës së parë në Tetovë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button