Diogjeni në kërkim të njerëzve të ndershëm!

Diogjeni, sikur të ishte reinkarnuar sot në shekullin XXI dhe sikur të dilte sërish me fener në mes të ditës në kërkim të njerëzve të ndershëm, do ta kishte bërë të njëjtin rrugëtim dhe në fund të rrugës, do të kishte dalë në përfundimin e njëjtë.

Edhe sot, natyra e njeriut nuk ka ndryshuar aspak, edhe përkundër mundësive më të medha të qasjes se lehtë në institucione të shkollimit dhe mjete shumë më moderne të edukimit dhe emancipimit kulturor.
Edhe sot, ai rrugës do të takonte te njeriu Hipokritin apo Dyfytyrshin, i cili i ndërron fytyrat si kameleon, Nihilistin i cili gjithë kohën ankohet dhe fajëson të tjerët për gjendjen, pa marrë asnjë veprim për ta ndryshuar atë
Ai do ta takonte Skeptikun dhe mosbesiuesin i cili është pajtuar me fatkeqësinë e vet dhe nuk beson se gjendja do të ndryshojë për rë mirë, pa i marrë parasysh shpresën që ia jep Optimisti, i cili vazhdimisht shpreson se një ditë do të vijnë kohëra më të mira, por vetvetiu.

Do të takojë rrugës me bollëk, Lajkatarë dhe Puthadorë që do ta lartësojnë deri në piedestal karakterin e tij prej dietari, duke e lavdëruar për mençurinë dhe urtësinë e tij të pakufishme, sa për t’ia bërë qejfin, dhe menjëherë pasi t’ia kthejnë shpinën, nga shpirtngushtësia do ta përqeshin dhe xhelozojnë atë, duke shpikur dhe shpifur çdo gjë sa për t’i dhënë gajret dhe ngushëllim shpirtit të tyre të varfër.

Më tej do ta takojë Indiferentin (edhe intelektual)- njeriun e rendomtë që kënaqet me pak, por që nuk ndermerr asgjë per të fituar më shumë, dhe shumë afër tij do ta takojë Humbësin-njeriun që nuk do të zgjohet herët të kerkojë fatin e vet më gjetjen dhe bërjen e punës për përmirësimin e jetesës…

Pak më tej do ta takojë Parazitin që preferon të rrijë gjithë ditën nëpër kafene duke fajësuar prindin e vet apo shtetin dhe qeverinë që nuk e financon dhe shpërblen atë me të holla për përtacinë dhe parazitllëkut e tij. Hazërxhiu nuk është shumë larg prej parazitit, i cili kërkon që dikush tjetër t’ia bëjë punën dhe t’ia servojë të gatshme si ‘aga dhe zotëri i madh’ që është, sikur ia ka borxh dikush këtë.

Duke kërkuar më tej për njeriun e ndershëm, Diogjeni do të takojë me të madhe edhe SERVILË që do t’ia puthin dorën dhe do t’ia ofrojnë shërbimet e tyre prej  hyzmeqari, vetëm për të siguruar një copë puke dhe një strehë ku të futet, por pak me tej do të takojë edhe Narcisin- njeriun ambicioz që e mbivlerëson veten duke kërkuar prej tij, që si njeri i pushtetshëm që është, t’i besojë atij ndonjë post apo funksion përtej përgatitjes dhe aftësisë së tij profesionale, pasi që atij i pëlqen shume vetja në pasqyrë, dhe nuk din të shtrijë këmbët sa e ka jorganin,  por që vazhdimisht kërkon privilegje të mëdha kundrejt shërbimeve të vogla.

Kur ta takojë rrugës Thashethemin, Diogjenit do t’i turbullohet mendja krejt, pasi prej tij do të dëgjojë gjithçka për gjithë secilin, vetëm sepse ai s’ka si ta kalojë kohen e vët të lirë, dhe më shumë merret me gajlet dhe punët e huaja se me të vetat.

Dhe në fund do të gjejë Egoistin-njeriun që veten e quan të ndershëm, vetëm sepse e shikon punën e vet dhe nuk ngatërrohet më punët e huaja, njeriun qe dorën në zemër, e fiton bukën me djersën e vet, pa iu përkuluar dikujt, por edhe që nuk dëshiron të jep asnjë kontribut për rrethin ku jeton, dhe nuk merr për sipër asnjë obligim në shërbim të kombit dhe shoqërisë, pasi mendon se kjo nuk është puna e tij por e tjetërkujt, pa e thënë  saktësisht e kujt! Për çdo gjë negative në shoqëri, ai nuk e çan kokën fare sepse për këtë e kanë fajin të tjerët, dhe ai nuk ka asnjë faj, derisa e keqja të afrohet në derën e tij….!

Menjëherë pas tij do t’i del përpara Altruisti, i cili është i gatshëm të bëjë gjithçka për të, duke e lënë pasdore madje vetveten dhe mirëqenien e familjes, por që për këtë neglizhencë nuk do ta gezojë respektin e të tjereve, pasi askush nuk do ta ndjekë pas nga mosbesimi, në sajë të mungeses së provave për vetëmohueshmërinë e tij, kur ai nuk ka qenë i gatshëm të flijohet as edhe për familjen e vet, e lëre më për të tjerët!

Ku ta gjejë Dionisi njeriun e ndershëm, dhe të drejtë, kur edhe në këte kohë mbisundon pandershmëria dhe padrejtësia, dhe rrallëkush tregon gatishmëri dhe guxim për t’i luftuar dhe për ta ndryshuar dhe përmirësuar gjendjen.
Edhe sikur të ketë diku të tillë, ata asnjëherë nuk do ta fitojnë perkrahjen dhe bekimin e këtyre të tjerëve që ngadhënjejnë përherë, vetem sepse janë (me) shumicë…!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button