Finlandë, shmanget vrasja e kryeministrit

Rojet finlandeze të sigurisë kanë shmangur një tentativë për të vrarë kryeministrin Jyrki Katainen, bën të ditur Sky News, duke nënvizuar se një person është arrestuar.

Ndërsa një zëdhënës i kryeministrit ka bërë të ditur se atentatori është ndaluar para se të ishte në gjendje të arrinte Katainen, që po drejtonte një tubim përpara universitetit.

Ngjarja ka ndodhur në qytetin Turku, ku Katanien ndodhej për fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale, që do të mbahen ditën e diel.

Pas arrestimit të të dyshuarit, i cili ishte pajisur me një thikë, kreu i ekzekutivit të shtetit nordik ka vijuar fjalimin, ka saktësuar zëdhënësi.

Nuk janë dhënë detaje mbi personin e ndaluar, por sipas burimeve të pakonfirmuara ai rezulton të jetë një mashkull me flokë të gjata. Është konfirmuar ndërkohë që kryeministri nuk ka pësuar asnjë lëndim.

Katainen është lider i Partisë së Koalicionit Kombëtar, që sipas sondazheve do të dalë e para në zgjedhjet e ardhshme, e ndjekur nga socialdemokratët.

Lajme të ngjashme

Back to top button