Maqedonia si Somalia, ndalohen grevat

Gjykata Themelore Shkup 2 solli aktvendimin pas seancës së djeshme në të cilën ministri i Shëndetësisë Nikolla Todorov kërkonte masë të përkohshme që të mos ketë grevë. Është përdorur edhe kundërthënia në ligjin për marrëdhënie pune në të cilën thuhet se grevë nuk guxon të ketë deri në përfundimin e pajtimit mes dy palëve, por edhe pajtimi nuk anulon grevën. Sipas një pjese të opinionit të ekspertëve, ndalesa për grevë të mjekëve do të thotë se shkelet e drejta e garantuar me kushtetutë.

Analisti Albert Musliu për Portalb deklaroi se Maqedonia po vepron në mënyrë paradoksale. Sipas tij gjëra të tilla mund të ndodhin në Somali, por jo edhe në shtet kandidat për integrim në Bashkimin Evropian, siç është Maqedonia.

“Kjo është një paradoks për Maqedoninë. Me protestat para selive të opozitës u renditëm ndër shtetet e rralla evropiane, bashkë me Bellorusinë ku njerëzit protestojnë para zyrës së opozitës. Edhe ndalimi i grevës është një paradoks i radhës. Të ndalohet e drejta e garantuar kushtetuese për grevë. Kjo do të ketë edhe pasoja në veprimin politik në Maqedoni. Nesër mund të ndalohen edhe protestat qytetare. Nuk ka justifikim për ndalesën që e ka bërë gjykata, por me atë ndalë i ka konfirmuar vërejtjet e Komisionit Evropian për mos pavarësinë e gjyqësorit në Maqedoni. Definitivisht kjo gjë është vendosur në bazë të politikës ditore. Kjo është një çështje të cilën kemi menduar se e kemi tejkaluar me përfundimin e sistemit komunist, por këto raste konkrete na vërtetojnë se nuk është ashtu. Ne jemi shtet që synojmë të bëhemi anëtarë të BE-së, nuk jemi Somalia, atje mund të ndodhin kështu gjërash, por te ne nuk duhet” – tha Musliu.

Për anëtaren e Komitetit të Helsinkut, Mirjana Najçevska, Maqedonia po bëhet objekt përçeshjeje me vendime të tilla qesharake. Ajo potencon se edhe me Ligjin për shëndetësi, por edhe me kushtetutë, greva është shumë qartë e rregulluar dhe e siguruar.

“Greva e mjekëve në asnjë mënyrë nuk mund të ndalohet ose pamundësohet nga ana e ministrisë, ndërsa vendimi i gjyqit i sjellur në bazë të rregullave inekzistente ligjore dhe me kërkesa të cilat nuk janë të parapara askund në asnjë ligj, paraqet turp të paparë për gjyqësinë. Në Ligjin për shëndetësi është shumë qartë e rregulluar materia për grevë, u janë dhënë ingerenca Drejtorit dhe masat që duhet të mirren gjatë kohës së grevës, dhe ato masa nuk kanë asnjë lidhje as me Sindikatën as më organizatorët e grevës. Me vendime të këtilla të gjyqësisë dhe zgjidhje të tilla të cilat i marrin prokurorët kohëve të fundit, ne e bëjmë Maqedoninë objekt përqeshjeje” – tha Najçevska për Portalb.

Ndërkaq nga Sindikata e mjekëve paralajmëroi ankesë deri te Gjykata e Apelit.
“Do të dilet gjysmë ore në pauzë, gjatë orarit të punës, për të shprehur protestën e mjekëve në Qendrën Klinike dhe në të gjitha qytetet në Republikën e Maqedonisë” –  deklaruan nga Sindikata.

Për të hënën mjekët paralajmërojnë vetëm grevë paralajmëruese prej 30 minutash./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button