Komuna e Gostivarit investon mbi 11 mijë euro në Njësinë e Zjarrfikësve

Një delegacion i komunës së Gostivarit i kryesuar nga kryetari Nevzat Bejta, vizituan Njësinë Territoriale Kundër Zjarrit në Gostivar, për të shënuar 20 Majin Ditën e Zjarrfikësve. 

Kjo ditë u shënua edhe me simulimin e një fatkeqësie ku zjarrfikësit e Gostivarit treguan shkathtësitë dhe atësitë e tyre. 

Gjithashtu u promovuan edhe investimet që janë bërë në NJTKZ në periudhën njëvjeçare, me vlerë mbi 11 mijë euro. 

“Unë si kryetar i komunës edhe në mandatin e parë edhe tani kësaj njësie i kam kushtuar rëndësi të madhe, për shkak se në vitin 2005 me fillimin e procesit të decentralizimit kjo njësi kaloi në suaza të komunës së Gostivarit dhe ne si komunë për Njësinë e Zjarrfikësve çdo vit do ndajmë mjete financiare për t’ju krijuar kushte të mira që ato në çdo moment të jenë në shërbimin e gjithë qytetarëve të komunës tonë. Zjarrfikësit çdoherë janë në gatishmëri për ti mbrojtur jetët dhe pasuritë e qytetarëve. Në kemi bërë investime në bazë të kërkesave të udhëheqësisë së NJTKZ-së, u kemi blerë uniforma të reja me standarde, e kemi lyer hapësirat në të cilën zjarrfikësit e kalojnë kohën dhe janë në gjendje gatishmërie çdoherë kur ka nevojë. Ne duam që ta kemi të përgatitur Njësinë e Zjarrfikësve për çdo rast të mundshëm që çdoherë kur të ketë nevojë zjarrfikësit të jenë në vendin e ngjarjes. Kam dalë edhe në praktikë i kam parë Zjarrfikësit kur ata kanë pjesë në shuarjen e zjarreve dhe ata japin maksimumin nga vetja për të qenë në shërbim të çdo qytetari”, tha kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.   
 
Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Gostivar numëron 33 të punësuar. 

Prej 01 Korrikut të vitit 2005, me vendim të Parlamentit të Republikës së Maqedonisë dhe me ligjin për zjarrfikës të gjithë Njësitet Territoriale Profesionale Kundërzjarrit kalojmë nën ingerencat e vetëqeverisjes lokale.

Lajme të ngjashme

Back to top button