Tetovë, 600 fëmijë në çerdhe, 70 ende presin

Numri i fëmijëve në çerdhet e Tetovës vazhdimisht është duke u rritur. Këtë vit rreth 600 fëmijë janë në çerdhet e Tetovës dhe mbi 70 janë të regjistruar në listën e pritjes. 

“Në Tetovë janë gjithsej 5 çerdhe të fëmijëve ndërsa tash janë formuar edhe gjashtë grupe nëpër fshatra, si në Jogunovcë me 22 fëmijë, në Nerashtë me 14 fëmijë, në Falishtë me 22 fëmijë, Reçicë me 28 fëmijë dhe një Xhepçishtë me 25 fëmijë”, deklaroi drejtoresha e çerdheve Arlinda Elezi.

Çerdhet punojnë për çdo ditë nga orën 5.30 të mëngjesit deri në orën 19.00 dhe për çdo ditë në këto çerdhe kryhen aktivitete të ndryshme, ku fëmijët në bazë të plan programit së çerdheve kryejnë aktivitetet e tyre. Drejtoresha e çerdheve Arlinda Elezi thotë se është investuar në kushtet e çerdheve, si dhe në literaturën e edukatoreve.

“Këtë vit ne kemi investuar në kushtet dhe literaturën e edukatorëve, ndërsa në kushtet e fëmijëve jemi munduar që të përdorim sistemin HASAP i cili është një sistem bashkëkohorë. Në bazë të numrit të fëmijëve dhe interesimit që është, flet vetë fakti se prindërit janë të kënaqur për  kushtet që i kemi, ndërsa në bazë të listës së pritjes mund të them se kemi nevojë edhe për një çerdhe të re e cila do t’i plotësonte nevojat tona, si për hapësirë të mjaftueshme, ashtu edhe për nevojat e qytetarëve”, u shpreh Elezi.

Më 3 shtatorë në çerdhen “Mlladost” është formuar edhe një grup multietnik i quajtur Mozaik në të cilin grup janë gjithsej 26 fëmijë dhe për këtë grup janë angazhuar gjithsej 2 edukatorë, njëra maqedonase dhe tjetra shqiptare, të cilat përkujdesen për  këta fëmijë. Një qëndrim ditorë në çerdhe kushton 24.80 denarë në ditë dhe afër 1500 denarë  në muaj me orar të plotë, ndërsa qëndrimi gjysmë ditorë kushton 13.5 denarë në ditë./Portalb  

Lajme të ngjashme

Back to top button