Politika luan me zjarr, ‘digjen’ qytetarët

Situata e tensionuar në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit është rezultat i politikës ditore në Maqedoni, e cila sipas aktivistëve të OJQ-ve po promovon gjuhën e urrejtjes dhe nxit tensione ndëretnike.

Aktivistët duke folur për Portalb, theks të veçantë i vënë mungesës së dialogut politik dhe manipulimit që bëhet me qytetarët nëpërmjet mediave që i shërbejnë shtetit.

Deralla: Pushteti me Mijallkovin nxitëse e tensioneve
“Ngjarjes së mbrëmshme i jap dy kahje, e para është vrasja e një të riu për një biçikletë, gjë që tregon varfërinë e skajshme që mbizotëron në Maqedoni, gjithashtu është brengosëse mbajtja e armëve, gjësendeve vdekjeprurëse nga të rinjtë, pasi që nga një mjet i fortë humbi jetën edhe Muhamedali Jashari, asgjë nuk premton që nesër nuk do të dalë ndonjë i ri të kryen vrasje me armë zjarri. Dhe kahja e dytë, tejkalimi i incidentit ndëretnik, duke u krijuar kështu tensione të mëdha. Pushteti tregoi se situate mund të kontrollohet shumë lehtë, pasi që pas ardhjes së Sasho Mijallkovit, situate menjëherë u qetësua, por gjithashtu ajo u ndez nga vetë mediat e afërta me qeverinë dhe nëse vazhdon ky manipulim i popullatës në këtë formë, shumë shpejt mund të kemi eskalim të situatës. Për gjithë këtë incident të tmerrshëm fajtore janë partitë politike së bashku me media e tyre servile, sepse ata nxitën situatën dhe u krijua ajo që ndodhi mbrëmë. Mos reagimi politik është shumë problem i madh, sepse kështu nga çdo incident sado i vogël që të ndodh, menjëherë kthehet në përleshje ndëretnike dhe prezent gjithmonë është gjuha e urrejtjes dhe ndarja që promovojnë vet partitë politike”, tha për Portalb, Xhabir Deralla, kryetari i OJQ Civil. 

Ramadani: Gruevski dhe partneri i tij krijojnë frymë anti-shqiptare
“Ndikimi politik në rastet e djeshme në Gjorçe mund të jetë efekt paszgjedhor ngase në fushatë kishte mobilizim votuesish me emocion anti-shqiptar ku tani mandatari për qeveri Gruevski kërkonte shumicë deputetësh që të mos varet nga “shqiptarët”. Ashtu votuesit e tij mund të kenë percepcion se shqiptarët këtu janë aq pak dhe vetëm “vjedhës të biçikletave” e Maqedonia një Radishan dhe Gjorçe Petrov që është vetëm e tyre. Këtë percepcion ua shton edhe më shumë padukshmëria politike shqiptare në opinion që edhe në këtë rast nuk dukej as për ngushëllime ndaj viktimës maqedonase nga krimi e as për mbrojtjen e biznesevë dhe shtëpive shqiptare në Gjorçe. Këto ndodhi ndonëse duken të vogla dhe banale ngase ndodhin mu tani kur edhe një pjese e konsiderueshme të maqedonasve, atyre të cilët e kanë votuar opozitën, janë duke e shpier Maqedoninë në një rreth vicioz të dhunës, urrejtjes etnike dhe mospërfaqësimit politik”, tha për Portalb,  Ramadan Ramadani, analist nga Instituti “Nisma”.

Jashari: Dhunën dhe urrejtjen qeveria i ka shndërruar në akte patriotike
“Dhuna dhe urrejtja ndëretnike në Maqedoni padyshim që një pjesë të frymëzimit e gjejnë tek politikanët dhe tek figurat tjera publike të cilit me paraqitjet e tyre kontribuojnë vazhdimisht në krijimin e një kulture ku dhuna dhe urrejtja janë normale madje edhe të preferuar pasi interpretohen si diçka patriotike.Një pjesë e zgjidhjes së këtij problemi qëndron në zbatimin konzistent të ligjit. Pikë së pari, institucionet përkatëse duhet të ndëshkojnë personat të cilit publikisht nëpërmjet mediave dhe internetit nxisin dhunë dhe urrejtje. Së dyti, udhëheqësit politik duhet me përgjegjësi e jo me oportunizëm t’i qasen këtij problemi dhe të mos shfrytëzojnë dhe forcojnë ndjenjat nacionaliste me paraqitjet e tyre publike.” thotë për Portalb, drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, e cila një kohë të gjatë zbaton projekte kundër urrejtjes në internet.

Saraçini: Pse nuk reaguan njejtjë edhe për Muhamedali Jasharin?
“Kjo që ndodhi në Gjorçe Petrov ishte e tmerrshme. Një tinejxher humbi jetën dhe mirë që është kapur vrasësi dhe të shpresojmë që edhe kriminelët e tjerë do të gjinden pas grilave. Vrasja për një biçikletë tregon situatën e mjerueshme  në të cilën ndodhemi, por ka diçka edhe më të tmerrshme, tek ne nga një akt kriminal bëhet rast etnik i cili mund të shkakton eksplodim ndëretnik. Deri kur do të lejohet që urrejtja dhe dhuna të mbizotërojnë në shoqërinë tonë. Gjithmonë ndodh e njëjta. A ju kujtohet kur i ndjeri Muhamedali Jashari dha jetën për shokun e tij maqedonas, askush nuk reagoi në këtë mënyrë. Nga ana tjetër partitë politike heshtin, heshtin se vetë ato i krijojnë këto probleme andaj nuk janë të interesuar t’i zgjidhin” tha për Portalb, Petrit Saraçini, aktivist.

Haziri: Politika maqedonase dhe shqiptare bën përçarje
“Incidenti i mbrëmshëm ilustron politikën e shtetit ndaj shtetasve në Maqedoni. Mbrëmë u pa se politika maqedonase dhe shqiptare mbrojnë një pjesë të popullatës dhe bën përçarje dhe nuk bëjnë ngritje të nivelit të multikulturalizmit. Maqedonia duhet të jetë shtet i qytetarëve dhe jo shtet një etnik. A thua kur do ta kuptojnë se problemi nuk zgjidhet me anë të dhunës, në këtë formë vetëm se lëndohen e dëmtohen njerëz të pafajshëm”, tha për Portalb Lulzim Haziri nga Asociacioni për Iniciativë Demokratike.

/ Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button