NATO – mania

“Ne gjithashtu kemi një mundësi të vërtetë për t’iu bashkuar NATO-s” pat thënë dikur Eduard Shevardnadze, për të përshkruar rëndësinë e kësaj organizate.   Zgjerimi i fundit i organizatës në fjalë, përfshiu dy shtete të Ballkanit, Shqipërinë dhe Kroacinë. Në këtë vijë si shtete pretendente që vijojnë procesin e anëtarësimit janë Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia. Duhet theksuar se Maqedonia në shënimet zyrtare të NATO – s figuron si FYROM, për shkak të kontestit që ka me Greqinë, me ç’rast kjo e fundit nuk ka hezituar për të përdorur të drejtën e vetos me qëllim të pengimit të Maqedonisë drejt anëtarësimit në këtë organizatë. Ishte pikërisht vetoja e vendosur nga Greqia në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008 që bllokoi ftesën e NATO – s për anëtarësim të Maqedonisë.

 Pas vetos, Greqia ishte paditur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, me ç’rast GJND në Dhjetor të 2011 kishte konstatuar se Greqia nuk kishte të drejtë që ta bllokojë shtetin fqinj lidhur me përdorimin e emërtimit “ish republika Jugosllave e Maqedonisë” si një opcion i pranueshëm për t’u anëtarësuar në NATO. Por pas Samitit të Bukureshtit, Maqedonia nuk ka qënë pjesë e rëndësishme e agjendës së Samiteve të mbajtura lidhur me zhvillimet e NATO – s.

Një organizatë, në parim ushtarake e përbërë nga 28 shtete anëtare u bë papritur premtimi kryesor i pas zgjedhjeve, një premtim i cili sipas parashikimeve do të bëhët realitet në periudhë prej gjashtë muajsh, e shumta deri në fund të vitit.
OK. NATO është një aleancë ushtarake ndërqeveritare, një organizatë që promovon një sistem të mbrojtjes përmes së cilës shtetet anëtare përshtaten për mbrojtje të përbashkët në rast të ndonjë sulmi të jashtëm.

Të gjitha këto shtete anëtare në një mënyrë apo në një tjetër para se të anëtarësohen në këtë organizatë janë kujdesur që të sigurojnë stabilitet të brendshëm që pastaj të jenë të denja edhe për të promovuar dhe siguruar stabilitet për shtetet e tjera. Pra konsolidimi i sigurisë së brendshme ka qenë primare, për t’i hapur rrugë pastaj vetes për anëtarësim në këtë organizatë që promovon dhe siguron paqen në botë. 

Maqedonia fillimisht u bë pjesë e Partneritetit për paqe në vitin 1995, një program që promovon besimin mes NATO dhe shteteve tjera në Evropë dhe më pas në vitin 1999 do të bëhët anëtare e Planit të Veprimit për anëtarësim, në të njejtin moment me Shqipërinë, Plan që ka për qëllim paraqitjen e raporteve vjetore në lidhje me përparimin e shteteve pretendente për anëtarësim, sa u takon kritereve të caktuara. 

Kriteri themelor i këtij Plani, është gatishmëria për të zgjidhur mosmarrëveshjet territoriale ndërkombëtare ose të brendshme, me mjete paqësore, angazhim për sundim të ligjit dhe të drejtat e njeriut, si dhe kontrollin demokratik të forcave të armatosura. 

Cilin nga këto nënkushte të kriterit të parë e plotëson Maqedonia? Cila nga këto pika e ka vënë në sprovë Maqedoninë dhe këtë sprovë e ka kaluar me sukses?  Në fakt nuk ka pasur rast të ndonjë kontesti ndërkombëtar ku Maqedonia duhej ta tregonte gatishmërinë e vet për ta zgjedhur atë mosmarrëveshje. Duket se ajo që është e logjikshme në këtë moment dhe ajo që ky shtet duhet ta bëjë është që të garantojë siguri të brendshme pikërisht nëpërmjet të sundimit të ligjit në mënyrë të paanshme dhe përfaqësim proporcional në raport me përqindjen e popullsisë, sigurimin e të drejtave të njeriut në mënyrë strikte siç e kërkon ky kriter si dhe kontrollin demokratik të forcave të armatosura, përfaqësim proporcional në forcat e armatosura në të gjitha rangimet përkatëse ushtarake.

Nuk dua të besoj se ndiqet një parim se “vetëm një shqiptar i mirë mund të bëhet një maqedonas i mirë”, dhe si individ i tillë do të ishte i pranueshëm. Në asnjë mënyrë parimi nuk është ai që duhet të jetë, pikërisht kjo qasje duhet të ndryshojë. Shqiptari është i mirë vetëm si shqiptar dhe vetëm mbi këtë bazë i takojnë të drejtat si qytetar i këtij vendi, dhe duhet ti jepet mundësia për të prosperuar me vlerat që i posedon si i tillë. Si mund të ketë stabilitet dhe harmoni të brendshme në një moment, kur një pjesë substanciale e popullsisë, shtetëformuese në këtë rast trajtohet si e rendit të dytë? 
A nuk është shembull i mirë shteti më i ri në Evropë, Kosova, që është duke treguar një seriozitet dhe vlera të mirëfillta duke i trajtuar të gjithë qytetarët e vetë si të barabartë dhe duke ndërtuar institucione serioze dhe të pranuara edhe ndërkombëtarisht si të tilla.  

Asgjë e keqe nuk i vjen e  Maqedonisë nga shqiptarët nëse trajtimi ndaj tyre do të ishte ai që kërkohet nga kriteri i sipërpërmendur, ndoshta në rast të tillë edhe përkrahja nga Shqipëria si shtet anëtar i NATO –  do të ishte e padiskutueshme dhe në dimension më të madh . Në të kundërt ku e shohin shqiptarët interesin për anëtarësimin e mundshëm të Maqedonisë në NATO? 
Samiti i rradhës i NATO – do të mbahet në muajin shtator në Britaninë e Madhe, shanci për anëtarësim në këtë organizatë ndoshta edhe është i duhuri siç edhe ka filluar të promovohet, por pa përmbushjen e  kushteve dhe të kritereve të parapara nga Plani i veprimit për anëtarësim, ndoshta do të ishte non – sens dhe i pa pranueshëm anëtarësimi. Një anëtarësim i mundshëm natyrisht se do të ishte një hap pozitiv, aq më tepër për rajonin, por shikuar pak me skepticizëm, më shumë do të ishte një prestigj sesa një domosdoshmëri.

Lajme të ngjashme

Back to top button