Qeveria pa opozitë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Qeveria nuk mund të ekzistojë pa opozitë, kështu vlerësuan analistët, duke thënë se kjo krizë politike mund të tejkalohet vetëm nëse ofrohet dialog dhe ofrohet hapësirë që partia më e madhe opozitare maqedonase t’i pranojë mandatet ose të shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme.

Analisti Albert Musliu bën të ditur se Maqedonia po ballafaqohet me një krizë të madhe politike e cila për një shtet që dëshiron të anëtarësohet në BE dhe NATO, është shumë problem serioz.

“Qeveria e re/ e vjetër, që nga dita e parë e marrjes së mandatit do të ballafaqohet me probleme të shumta politike. Zgjidhje e këtij problem është që të formohet një qeveri teknike dhe të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse opozita pa ndonjë kusht konkret nuk do të futet në parlament. Duhet të organizohet debat dhe nga negociatorët do të varet se kush përfiton nga ky dialog”, tha për Portalb, Musliu.

Juristi Osman Kadriu thekson se kjo çështje është mjaft delikate që nuk mund të parashikohet se çfarë do të ndodhë, por megjithatë vlerëson se zgjidhja do të ishte zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Shkaku që partia më e madhe opozitare maqedonase LSDM, refuzoi mandatet flet shumë. Ne kishim edhe kohë më parë krizë politike mirëpo tani ajo u zmadhua edhe më shumë, duke u shndërruar në krizë parlamentare. Që nga viti 1991 në kushtetutën e Maqedonisë flitet për sistemin shumëpartiak, I cili është një prej vlerave më të rëndësishme të rëndit shoqëror dhe politik. Parlamenti do të aprovojë programin e Qeverisë dhe do të formohen ministritë, por pa opozitën do të është një problem shumë i madh”, tha për Portalb, Kadriu.

Ai shtoi se faktori i jashtë do të mundohet të ndikojë dhe të bind opozitën që të kthehet në parlament.

“Faktori i jashtëm do të tentojë që të bind opozitën që të kthehet në parlament mirëpo koha është tregues më i mirë në këtë rast. Rrugëdalje është formimi i qeverisë teknike dhe të shkojmë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Kadriu.  /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button