Maqedonia me qeveri teknike deri në mars?

Kriza politike le Maqedoninë në prag të zgjedhjeve të parakohshme, por edhe në domosdoshmëri për një qeveri teknike e cila do të përgatitë zgjedhjet dhe do ti realizoj ata në mënyrë të drejtë. Këtë mendim ndajnë analistët të cilët për Portalb sqarojnë mundësinë për zgjedhje të parakohshme parlamentare në pako me ato lokale. Analisti Alajdin Demiri mendon se tensionet e fundit politike janë fushatë klasike parazgjedhore.

“Kriza politike që po ndodh është një krizë e projektuar, edhe atë e projektuar nga ana e VMRO-së dhe BDI-së. Fakti që pa asnjë nevojë reale për të bërë një tendosje e krijuan këtë krizë BDI në Sllupçan dhe VMRO me propozim ligjin pa nevojë konkrete, e krijuan tensionin edhe atë në variantë të tensionit etnik. Përmes këtij tensioni të dyja partitë synojnë rritjen e rejtingut dhe e gjithë kjo tregon se është një fazë e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat ata vetë i projektojnë dhe ata vetë dëshirojnë që ti zbatojnë” – thotë Demiri.

Ai shprehet se për realizimin e këtyre zgjedhjeve nevojitet një qeveri teknike, e cila njëkohësisht do të tentojë të zgjidh edhe çështjen e emrit.

“Qeveria teknike është një nevojë imanente në situata të tilla për arsye se po qe se zgjedhjet e parakohshme i realizon qeveria ekzistuese do të ngelin ende tema të mjegullta siç është lista zgjedhore, Kodi Zgjedhor apo realizimi teknik i zgjedhjeve. Pra, kjo qeveri teknike është e nevojshme dhe e domosdoshme, por nuk besoj se dy partnerët e koalicionit do të shkojnë në qeveri teknike. Një mundësi e tillë ekziston vetëm nëse BDI largohet nga qeveria dhe instalohet ajo qeveri teknike që do të realizojë procesin e zgjedhjeve dhe të shkrijë bisedimet me Greqinë për emrin, me një person të pranueshëm për faktorin ndërkombëtar si kryeministër, e që nuk është as Gruevski e as Ahmeti” – deklaron Demiri.

Analistja Biljana Vankovska ndan mendimin se partnerët e koalicionit shpesh dinë edhe të sajojnë kriza politike sidomos me karakter ndëretnik, me qëllim forcimit të pozitave te elektorati i tyre.

“Tensionet politike dhe krizat janë të zakonshme në sistemet e shpërndarjes së pushtetit (power-sharing). Për këtë shkak politika bazohet në dialog të vazhdueshëm dhe redefinim të marrëdhënieve. Problemi në Maqedoni është se modeli deformohet në bipolar/binacional, kështu që krizat reflektohen si më kërcënuese dhe më dramatike. Nga ana tjetër, partnerët në qeveri të vetëdijshëm se pozita e tyre varet nga disponimi në bllokun e tyre etnik, shpesh dinë të sajojnë krizë që t’i forcojnë pozitat” – thotë Vankovska.

Por ajo nuk mendon se një qeveri teknike është e nevojshme, aq më pak për zgjidhjen e çështjes së emrit, e cila sipas saj nuk është problem teknik.

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të mundshme por nuk do të zgjidhin asgjë me peshë. Sa i përket mundësisë për qeveri teknike deri në mars me çka do të zgjidhej çështja e emrit, unë jam kundërshtar i qeverive të tilla, sepse ajo është derogim i demokracisë, ndërsa problem me emrin nuk është problem teknik por çështje e interesit më të lartë kombëtar” – deklaroi Vankovska.

Pavarësisht nëse kriza është reale apo jo, tashmë pasojat e saj janë reale dhe vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, mendon analisti Alber Musliu.

“Nuk e di a është reale kriza, apo fiktive. Por që ka pasoja reale, ka. Në një farë forme është hyrë në përgatitje për zgjedhje, tash do të shohim se si do sillen partnerët e koalicionit, por me sa duket VMRO e ka lëshuar pak topin, por pasojat e ngritjes së tensioneve vazhdojnë, dhe ato janë të vetëdijshëm. Ka tension para zgjedhjeve lokale dhe mendoj se ato do të rriten edhe më shumë në rast të zgjedhjeve të parakohshme bashkë me ato lokale” – thotë Musliu.

Ai shpjegon se pikërisht mundësia për qeveri teknike, por pa VMRO-në, ka bërë që nga kjo parti të ulet topi dhe të ndihet një farë tërheqje nga pozitat e mëhershme.

“Mundësia e qeverisë teknike deri në mars është skenar real, dhe pikërisht kjo mundësi mendoj që ishte edhe shkaku që të zbutet qëndrimi i VMRO DPMNE-së, nga që ata frikohen se nuk do të ketë vend për ta në një qeveri të tillë” – deklaroi Musliu.

Kalkulimet për zgjedhje të parakohshme parlamentare vinë pas ultimatumit që Bashkimi Demokratik për Integrim i dha VMRO-së, ose të tërheq propozim ligjin për “branitellat” apo të bëjë ndryshimin e tij duke integruar të drejta edhe për ushtarët e UÇK-së, ose BDI lëshon qeverinë./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button