Rita Ora do të këndojë për 100-vjetorin e Pavarësisë

Këngëtarja me prejardhje kosovare, që ka bërë nam në botë, Rita Ora, i ka thënë revistës “Bang” se do të performojë në Prishtinë, më 28 nëntor, për nder të festës së 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Për këtë ajo ka thënë të ketë marrë ftesë nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.

“Unë jam ftuar nga presidentja e Kosovës për të shkuar më 28 nëntor në 100-vjetorin e Pavarësisë, kështu që mund të performoj disa këngë akustike si befasi për bashkëvendësit e mi”, ka thënë Rita Ora për revistën prestigjioze.

Por në Presidencën e Kosovës nuk e kanë konfirmuar ftesën për këngëtaren me famë botërore. Arbër Vllahiu, këshilltar për media dhe zëdhënës në Presidencën e Kosovës ka thënë se nuk është në dijeni për një ftesë të mundshme për Orën.

“Nuk jam në dijeni të një ftese apo të një kërkese të tillë”, ka thënë shkurt Vllahiu.

Më parë, lajmi se Rita Ora mund të paraqitet në Tiranë, në një koncert për shënimin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar, kishte marrë dhenë në mediet në Shqipëri dhe në Kosovë. Por as këngëtarja, e as autoritetet shqiptare nuk kishin konfirmuar një gjë të tillë. Krejt çka kishte thënë Ora për këtë gjë kishte qenë një mesazh në rrjetet sociale, që ajo e kishte bërë në formë të bashkëbisedimit me fansat e saj.

“Kjo është shumë e rëndësishme për mua, por do të mbetet një surprizë!”, i ishte përgjigjur Ora pyetjes nëse e ka ndërmend që të vizitojë Shqipërinë, me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.

Rita Ora është shndërruar në emrin më të përfolur në industrinë muzikore botërore. Bashkë me të, bota po njeh edhe Kosovën. Ajo nuk lë intervistë me revista prestigjioze në botë pa përmendur se është me prejardhje nga Kosova./KohaDitore/

Lajme të ngjashme

Back to top button