Basha premton sërish protestë madhështore anti-Rama

Lulzim Basha njoftoi dje një protestë tjetër të opozitës për të kërkuar rrëzimin e kryeministrit Edi Rama. Deklarimi u bë dje, pas mbledhjes së strukturave të partisë për të dhënë orientimet mbi protestën.

“Opozita është në këmbë prej 8 muajsh, duke denoncuar zhbërjen e rendit përmes goditjeve të strukturuara të Edi Ramës dhe kupolës së tij kundër Policisë së Shtetit, kundër ligjit dhe ligjzbatimit, duke denoncuar emërimet në poste kyçe jo vetëm në Policinë e Shtetit, por të infrastrukturës shtetërore, të trafikantëve të dënuar në Shqipëri dhe jashtë Shqipërie për trafik droge. Të vetmit që nuk ndajnë këtë shqetësim, janë Edi Rama dhe kupola e tij. Edi Rama dhe kupola e tij ka një shqetësim tjetër. Kanë shqetësim se si t’i ikin përgjegjësisë direkte që ai dhe kupola e tij ka për shpërthimin e këtij skandali në përmasa të jashtëzakonshme të trafikut të drogës, se si të fshehin të vërtetën”, tha kreu demokrat.

Basha në fjalën e tij tha se përveç demokratëve ka edhe shumë deputetë socialistë që janë të shqetësuar për situatën, por pa përmendur asnjë emër.

“E di se edhe deputetë socialistë e ndajnë këtë shqetësim. E di se edhe votues socialistë janë të skandalizuar nga përmasat e këtij skandali. Partia Demokratike, unë si kryetari i saj, opozita nuk u zgjua një ditë dhe vendosëm të kërkojmë dorëheqjen e Edi Ramës se kështu na u tek”, tha Basha.

Gjithashtu ai i bëri apel edhe të majtëve të zhgënjyer që t’i bashkohen protestës.

“Edhe njëherë, të premten në orën 11.00 dua të ftoj qytetarët shqiptarë në një protestë madhështore, më të madhen, që të përbashkojë çdo qytetar shqiptar pavarësisht dallimeve politike kundër kartelit të drogës, për Shqipërinë Europiane”, përfundoi Basha.

Përgjigjia e PS-së

Partia Socialiste i ka bërë një “kundërofertë” qytetarëve shqiptarë, të ftuar nga PD-ja për të dalë në protesta kundër trafikut të drogës. Deputetja Olta Xhaçka, nga selia e PS-së ka dalë me thirrjen, që iu bie ndesh demokratëve të drejtuar nga Basha e të cilën po e citojmë:

“Qytetarë dilni në protestë dhe mbështesni ata që ngritën bastionin e drogës në Lazarat, linjat e drogës në tokë, det e mesa duket edhe ajër! Dilni në protestë dhe mbështesni ata që hapën kanalet e kontrabandës së naftës dhe cigares, e që sot janë të tronditur të shkretët se në Shqipëri nuk hyjnë dot më vaporë kontrabandë duke paguar djalin e Kryeministrit apo krushkun e ministrit të financave!”

Xhaçka nuk ka nguruar të përmendë edhe aktorë të tjerë, që janë bërë pjesë e fushatës së PD-së kundër Qeverisë dhe Kryeministrit Rama:

“Dilni në protestë qytetarë dhe bashkohuni me pronarë lajmesh e gazetash që janë mësuar të mos paguajnë taksa, të zaptojnë toka, të ndërtojnë 6 kate me leje e 10 kate pa leje në mes të Tiranës me bekimin e kryetarit vulëhumbur të bashkisë! Dilni në protestë, o burra, që të gjithë,”- theksoi ajo, – “tani që po presim statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, sepse Gjermania, Italia, Greqia, mbarë Europa janë shumë të shqetësuar me Policinë e Shtetit tonë po kanë frikë ta thonë vetë dhe ia kanë lënë dhëndrit sypatrembur të SHQUP-it ta thotë bashkë me dasmorët trima të ish- Shtëpisë së Oficerëve!”  / Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button