Topi: Berisha si komunist

Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi komentoi shkarkimin e Bahri Shaqirit dhe emërimin e kreut të ri të SHISH-it, duke e konsideruar vendimin e pasardhësit të tij, si përpjekje të kryeministrit Berisha për të kapur të gjitha institucionet e vendit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish-Presidenti Topi tha se ndryshimet e fundit në institucione, duke nënkuptuar emërimin e kreut të ri të SHISH-it dhe nënkryetarit të KLD-së, janë simptoma të qarta të një politike totalitariste.

“Ka simptoma të qarta të një politike totalitariste. Tendenca për të kapur të gjithë pushtetet. Brenda 2-3 javësh ka pasur ndryshime në institucione të rëndësishme. Tentativa e kryeministrit është e qartë, për të kapur çdo institucion.”- u shpreh Topi.

Ish-presidenti tha se në zyrën e tij nuk mbërriti asnjë propozim nga kryeministri Berisha për shkarkimin e kreut të SHISH-it, apo emërimin e ndonjë tjetër kandidati. “Nga Berisha nuk kam pasur asnjë propozim për shkarkimin e Shaqirit. Pati debate vetëm për projektligjin për SHISH, pasi u hartua pa bashkëpunimin me SHBA.”- tha ai.

Sipas Topit, shkarkimi i Shaqirit ngre shumë pikëpyetje për SHISH dhe se ky ndryshim i shërben politikës.

I pyetur në lidhje me angazhimin e tij në politikë me Frymën e Re Demokratike, ish-presidenti tha se për momentin ka bërë vetëm një hap drejt afrimit me FRD-në, ndërsa konfirmoi se fundi i këtij muaji do të shënojë zyrtarisht rifillimin e karrierës së tij në politikë me partinë e re të spektrit të djathtë.

“Eshtë detyrim për tu rifutur në politikë dhe për të rikthyer ato standarde që në mjaft linja po shkojnë duke u përkeqësuar.”- vijoi Topi.

Lajme të ngjashme

Back to top button