Ndotja e ajrit në Maqedoni, këto janë masat që duhet t’i ndërmarrin autoritetet
Ndotja e ajrit është problem me të cilin po përballen qytetarët e Maqedonisë, sidomos në këtë periudhë kur ka filluar dhe sezoni i ngrohjes. Autoritetet mundohen që me masat e tyre të zbusin nivelin e ndotjes së ajrit, por deri më tani, nuk mund të thuhet se kanë sukses, duke e pasur parasysh se ajri përsëri është i ndotur, njofton Portalb.mk.
Në vend të masave të autoriteteve, që t’i shenjëzojnë veturat me ngjitëse ekologjike, subvencionim për pastruesit e oxhakëve, subvencionim të trotinetëve dhe vetura elektronike, aktivisti qytetar, Besim Nebiu, rekomandon disa masa tjera për zbutjen e ndotjes së ajrit.
- Të ndalohet plotësisht shfrytëzimi i vajit të djegur, stiroporit, plastikës dhe çdo mbetje tjetër për djegie dhe ngrohje në industri dhe amvisëri.
- Rregullim dhe kontroll strikt të tregut të druve për ngrohje në RM.
- Subvencionim për ngrohës të rinj energjetik dhe ekologjik, subvencionimi i parë për popullatën e përgjithshme, subvencioni i dytë (më i lartë) për targetimin e kategoritë e prekura sociale.
- Krijim të mekanizmave garantues dhe/ose linja kreditore për financim të rinovimit të fasadave me efikasitet energjetik në objektet banesore, nëpërmjet komuniteteve të pronarëve ose ndërmarrje menaxhuese.
- Krijimi i subvencioneve të targetuara për kategoritë e prekura në projekte për rinovimin energjetik-efikas të fasadave në objektet banesore nëpërmjet komuniteteve të pronarëve dhe ndërmarrjeve menaxhuese.
- Ndryshim rregullator të sistemit të pagesës së ngrohjes qendrore në Shkup (kalim në pagesë individuale, në bazë të harxhimit të matur në nivel të amvisërive).
- Vendosje pa pagesë e pajisjeve për matjen e harxhimit të ngrohjes qendrore në nivel të amvisërive (tani paguhet në nivel të kapacitetit dhe ndërtesës, dhe për atë është jo-efikase, e keqe dhe e shtrenjtë).
- Intensifikim të projektit për gazifikim dhe subvencionim të plotë të harxhimeve për projekte për vendosjen e rrjetit terciar i cili shkon deri në shtëpi dhe banesa.