Asgjë nuk i ndal nga deti i Greqisë

Qytetarët e Maqedonisë në këto ditë të nxehtit tropikal shpëtimin më së shumti e kërkojnë nëpër plazhet e Greqisë. Agjencionet turistike thonë se fqiu jugor edhe më tej mbetet top destinacion për të kaluar pushimet verore për shkak të çmimeve të volitshme. Turistët shqiptarë e maqedonas nuk i ndal as çështja e emrit po as vendosja e ngjitësve në veturat e tyre për shkaqe politike, ato duan të kalojnë lirë e mirë.

“Greqia mbetet destinacion i preferuar për qytetarët e Tetovës dhe më gjërë sepse është shumë lirë, posaçërisht tani kur është kulmi i sezonit. Me transport të paguar për shtatë natë kushton 100 euro. As afera me ngjitëset apo diçka e ngjashme nuk i ndal ato nga verimi në Greqi” thotë Tanja Markovska nga agjencia turistike ‘Jeta Air’. Nga ana tjetër, thekson ajo, edhe Shqipëria nuk mbetet pas, ka interesim për qytetin e Sarandës , Vlorës dhe Ksamilit, ndërkaq për në Bullgari më shumë janë të interesuar të rinjtë.

Për shkak të krizës financiare evitohet Turqia e cila i ka rritur çmimet.

“Destinacione më të kërkuara për këtë vit janë Greqia dhe Shqipëria, ndërsa më pak Turqia për shkak të çmimeve më të larta. Sidomos në Greqi  ka rritje të numrit të qytetarëve nga Maqedonia. Kjo për shkak të kushteve të mira në Greqi, çmime prej 240 deri 300 euro për pushim nëntë netësh në Thasos, Zakintos e tjerë” – thotë Sefedin Alija nga agjencioni turistik Euro Travel & Tours.

Ndërkaq, Aleksandar Josifovski nga No Limit Travel thotë se ka dhe destinacione të tjera që janë shumë të kërkuar: Kosta Brava në Spanjë dhe Hurgada në Egjipt.

“Si destinacion më i kërkuar mbetet Greqia, më saktë Halkidiki për shkak të kualitetit të lartë, çmimeve të ulëta dhe afërsisë, 4-5 orë vozitje. Çmimet së bashku me transportin për në Halkidiki janë 450 euro për 10 netë dhe më lartë, në Spanjë nga 399 euro e më lartë” thotë Josifovski. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button