Ndryshimet në Qeveri, Xhepa: Të ishin rrënjësore, jo rotative

Shtohen “zërat kundër” brenda grupit parlamentar demokratik. I ftuar në emisioni “5 pyetje nga Babaramo” në TV NEWS24, deputeti i Partisë Demorkatike Selami Xhepa, deklaroi se nuk aprovon mënyrën e ndryshimeve në qeveri, duke nënvizuar se do ishte e nevojshme një frymë më demokratike brenda partive politike. Ndërkohë, duke iu referuar kritikave më të fundit që deputeti demokrat Mark Maku ka bërë në media, Xhepa thekson se deklaratat e Markut kanë nevojë për një reflektim nga ana e lidershipit të PD, Sali Berisha. 

“Nuk kam patur mundësi ta debatoj, por edhe disa zëra të tjera janë shprehur. Mendoj se një sërë kritikashtë të bëra nga Marku janë të rëndësishme dhe kanë nevojë për një reflektim nga lidershipi i PD. Mendoj se janë të rëndësishmë dhe do të shëronin gjëndjen. Unë ndaj pikëpamjen se nevoja për një dinamizim është jo vetëm në qeverisje, por edhe në krijimin e një fryme më të gjërë demokratike edhe në forcat demokratike. Mendoj se demokracitë fillojnë dhe përfundojnë në partitë politike, pasi nuk mund të kemi shoqëri demokratike nëse partitë politike kanë mangësi dhe nuk kanë frymë demokratike brenda tyre”, deklaroi Xhepa. 

Sa i takon ndryshimeve në qeveri, deputeti demokrat sqaron se nuk ka asnjë dijeni, duke shtuar se do kishte qënë më efektive një ndryshim më rrënjesor dhe jo rotativ. “Unë nuk kam asnjë dijeni, por kjo nuk do thotë se nuk kanë ndodhur një proces konsultimi. Thashë që ndoshta do kishte qënë më mirë nëse do kishte patur ndryshim më rrënjësor. Për të ndërtuar kabinete jo vetëm me një numër të kufizuar personash, por më rotativ që do sillnin frymë të re”,- theksoi Xhepa. 

Duke vlerësuar ndikimin që do kenë ndryshimet në kabinetin qeveritar në zgjedhjet e 2013 Xhepa tha :“Nevoja për të bërë një analizë të hollësishme të qeverisjes, mendoj se nëse një gjë e tillë nuk do bëhej baza e përfaqësimit të partisë do ishte shumë e vakët”. 

Salami Xhepa duke analizuar situatën ekonomike të vendit përballë krizës ekomomike botërore konfirmoi një prekje në buxhetin e shtetit, për t’iu përgjigjur problematikave imediate.

Lajme të ngjashme

Back to top button