Irani dënon thirrjet e SHBA-së për bllokimin e eksportit të naftës
Duke folur me emigrantët iranianë në Zvicër të martën, Rouhani kritikoi deklaratat e Washingtonit për uljen e të ardhurave iraniane të naftës.
“Amerikanët thonë se duan të ndalojnë eksportet e naftës të Iranit, por nuk i kuptojnë implikimet që ka kjo”, tha Rouhani, sipas një deklarate të publikuar nga zyra e tij.
Ai shtoi se: “Është e pakuptimtë që nafta e Iranit të mos mund të eksportohet përderisa nafta nga vendet e rajonit të mund të eksportohet”.
Presidenti i Iranit në vazhdimin e fjalimit të tij tha se SHBA është ajo që do “mbajnë përgjegjësitë” në rast të ndërprerjes të eksportit të naftës së vendit të tij.
Të hënën, Departamenti i Shtetit i SHBA-ve njoftoi synimin e tij për të ulur të ardhurat e naftës iraniane në zero.
“Ne ishim të qartë me vendet dhe kompanitë anembanë botës se ne jemi duke bërë presione ekonomike ndaj Iranit derisa regjimi të ndryshojë politikat e tij destabilizuese”, tha Brian Hook, këshilltar i lartë politik i Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.
Washingtoni ka kërkuar nga aleatët e tij që të ndalojnë të gjitha blerjet iraniane të naftës bruto deri në nëntor.
Sipas OPEC, prodhimi i naftës së papërpunuar të Iranit qëndroi në rreth 3.8 milionë fuçi në ditë në maj, nga të cilat rreth 2 milionë fuçi u eksportuan.