Shpërthim para studios së modës të bashkëshortes së liderit të partisë greke Demokracia e Re, Micotakis
Një bombë e vogël artizanale ka shpërthyer sot në mëngjes para hyrjes së ndërtesës në të cilën gjendet studioja e modës e bashkëshortes së liderit të partisë opozitare greke Demokracia e Re, Kirijakos Micotakis, Mareca Grabofski Micotakis, në qendër të Athinës.
Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Athina, shpërthimi ka shkaktuar dëm të vogël material në mermerin dhe derën hyrëse të objektit.
Mekanizmi i vogël shpërthyes artizanal me bombola gazi ishte vendosur në hyrjen e ndërtesës rreth orës 03:00 pas mesnate sipas kohës lokale (02:00 sipas kohës së Evropës së Mesme).
Sipas mediave greke, vlerësimet e policisë janë se bëhet fjalë për sulm simbolik, ndërsa në vijim është hetimi për zbulimin e autorëve, përmes kontrollit të kamerave të sigurimit që gjenden në pjesën e jashtme të ndërtesës, por edhe në objektet përreth.
Në lidhje me shpërthimin ka reaguar kryetari i Demokracisë së Re, por edhe kabineti i kryeministrit grek Aleksis Cipras.
Kiriakos Micotakis në Tuiter komentoi se pas sulmit qëndron “propaganda e Qeverisë” dhe se në mënyrë jo të drejtpërdrejtë ai ka qenë cak i saj.
Nga kabineti i Cipras, shkurt kumtuan se “pa mëdyshje dhe me vendosmëri e dënojnë sulmin”.