“Kthimi” merr çmimin e publikut në festivalin holandez

Filmi me të cilin Kosova për herë të parë u fut në “hartën” e fituesve të çmimeve prestigjioze, ka marrë edhe aprovimin e audiencës holandeze. “Kthimi” i regjisores Blerta Zeqiri është shpërblyer me çmimin e publikut (Audience Award) në festivalin “Go Short”. Festivali i cili u dedikohet filmave të shkurtër është mbajtur nga data 14 deri më 18 të këtij muaji në Nijmegen të Holandës.

Gjatë katër ditëve të Festivalit janë shfaqur më shumë se treqind filma të shkurtër nga vende të shumta evropiane. Katërmbëdhjetë prej tyre janë dhënë premierë në këtë festival. “Kthimi” i Zeqirit në janar të këtij viti ishte fitues i çmimit për filmin më të mirë ndërkombëtar në kategorinë e filmave të shkurtër në edicionin e 29-të të “Sundance Film Festival”.

“Kthimi” është një dramë familjare e një të burgosuri shqiptar (Lulzim Bucolli), i cili kthehet nga burgjet serbe pas mbarimit të luftës. Ai përballet me ndryshimin e madh, jo të lirisë, por me pasojat e dhunimit të gruas së tij (Adriana Matoshi). Me gjithë vuajtjet dhe tmerret ajo pranon të sjellë në jetë fëmijën, si fryt të dhunimit, duke e pagëzuar me emrin Jeta. 

Regjisorja Blerta Zeqiri, ka thënë se pavarësisht që filmi i saj tashmë është shpërblyer me njërin prej çmimeve më prestigjioze të filmit në botë, vlerësimi që i është bërë nga publiku holandez i takon një rëndësie të veçantë.

“Është një çmim jashtëzakonisht i rëndësishëm për mua, sepse, nëse ky film ka arritur të komunikojë kaq mirë sa të pëlqehet nga audienca, është lumturia më e madhe”, ka thënë Zeqiri. “Nuk kam fjalë ta përshkruaj”, ka shtuar ajo.

Zeqiri nuk ka qenë e pranishme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Go Short”, por në emër të saj çmimin e ka marrë producenti i filmit “Kthimi”, Blerim Gjoci.

“Producenti ka aplikuar dhe ka qëlluar atje ta marrë çmimin që për mua është diçka shumë e papritur, sepse nuk e kisha besuar që gjithë publiku do ta pëlqente filmin tim”, ka shtuar ajo.

Duke thënë se “Kthimi” do të vazhdojë të rrugëtojë nëpër festivale nëpër botë, Zeqiri ka thënë se secila pjesëmarrje e ka peshën e vet.

“Pavarësisht që filmi është shpërblyer në ‘Sundance’ dhe tani po merr pjesë në festivale më të vogla, secili prej tyre e ka rëndësinë e vet dhe më jep vullnet për projektet e ardhshme”, ka thënë Zeqiri.

Zeqiri ka zbuluar edhe një tjetër emër të festivalit ku do të garojë me “Kthimin”.

“Është hera e parë që do të mbahet ‘London Sundance’ në të cilin ka filma dhe muzikë. Janë përzgjedhur gjashtë filma që janë shfaqur në ‘Sundnace’ në Amerikë dhe në mesin e tyre është edhe filmi im”, ka thënë ajo.

Ndryshe “Go Short” sivjet ka grumbulluar disa nga filmat më të mirë të shkurtër nga Evropa. Përveç shfaqjes së filmave, pjesë e festivalit kanë qenë edhe punëtori, ekspozita e performanca të ndryshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button