Zbulohen gërmadhat e Xhamisë së Qafës në Shkodër

Themelet e njërës prej xhamive më të vjetra në qytetin e Shkodrës janë zbuluar teksa Myftinia e qytetit antik po bënte rikonstruksionin e Xhamisë së Plumbit, fare pranë Xhamisë së Qafës. Ajo mendohet se është ndërtuar 300 vjet më parë. Myftiu i Shkodrës, Muhamet Syrtari, u ka thënë mediave në Shqipëri se Xhamia e Qafës është objekt shumë i rëndësishëm, si nga ana arkitekturore, ashtu dhe nga ana kulturore.

“Rrënojat e zbuluara i përkasin Xhamisë së Qafës. Bëhet fjalë për xhaminë e njërës prej lagjeve më të vjetra, që ka qenë e vendosur në hyrje të qytetit të Shkodrës, ngjitur me kalanë ‘Rozafa’, buzë lumit Drin. Xhamia e Qafës është ndërtuar shumë kohë më parë se Xhamia e Plumbit. Ka një rëndësi të veçantë për vetë kohën e ndërtimit”, ka thënë Syrtari.  “Ne si Myftini e Shkodrës dhe komuniteti mysliman do t’u kërkojmë autoriteteve të Monumenteve të Kulturës që këtë xhami ta klasifikojnë si objekt të një rëndësie të veçantë, si monument kulture”, ka shtuar ai. 

Sipas tij, shumë shpejt do të nisë puna për të pastruar të gjithë zonën, për të bërë rrethimin, me qëllim që objekti i zbuluar të jetë i gatshëm për t’u vizituar nga të gjithë të interesuarit. Pritet që objektin treshekullor të vijnë dhe ta inspektojnë specialistë të Monumenteve të Kulturës për të bërë verifikimet e nevojshme, ndonëse Myftinia është e sigurt se bëhet fjalë për Xhamisë e Qafës, ndërtuar para 300 vjetësh. 

Xhamia e Qafës është shkatërruar plotësisht në vitin 1967, në kohën kur regjimi komunist u mundua të zhdukte çdo gjë që kishte lidhje me fenë. Madje, me një projekt të veçantë ishte parashikuar që tubacionet kryesore të furnizimit me ujë të pijshëm për qytetin të kalonin pikërisht te themelet e kësaj xhamie, që të shkatërrohej plotësisht. Deri para dy ditësh është menduar se nga kjo xhami nuk kishte asnjë shenjë të mbetur, por ndërsa punohej për të rregulluar oborrin e Xhamisë së Plumbit kanë dalë në dritë themelet e Xhamisë së Qafës. Në këtë zonë, buzë kalasë “Rozafa” janë duke u zhvilluar ekspedita arkeologjike, pasi, sipas arkeologëve, kjo zonë fsheh shumë histori dhe vlera arkeologjike jo vetëm për Shkodrën, por edhe më gjerë.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button