Senati i shqyrton raportet tregtare me Rusinë

Komiteti i Financave i Senatit të Shteteve të Bashkuara e ka mbajtur një seancë dëgjimi për shqyrtimin e normalizimit të përhershëm të marrëdhënieve tregtare me Rusinë. 

Për këtë çështje janë angazhuar administrata e presidentit Barak Obama dhe biznesmenët.

Por, është shtruar çështja e ndjeshme e gjendjes së të drejtave të njeriut në Rusi.

Kryesuesi i Komitetit të Senatit për Financa, Maks Bokës, demokrat nga Monatana, ka kërkuar që Komiteti ta tërheq amandamentin, i cili i ndalon marrëdhëniet e përhershme tregtare normale, para se Rusia të bëhet anëtare fuqiplotë e Organizatës Botërore të Tregtisë, këtë pranverë.

Legjislacioni i njohur si Amandamenti Xhekson – Vanik, është një dokument i periudhës së Luftës së Ftohtë, që nuk i lejon marrëdhëniet e përhershme normale, të njohura me shkurtesën PNTR.

Zoti Bokës tha se tërheqja e këtij legjislacioni do të ishte në të mirë të ekonomisë aktualisht të ndjeshme të Shteteve të Bashkuara.

Sipas tij, kjo do ta dyfishonte vëllimin e eksportit amerikan në Rusi, që aktualisht është afro 9 miliardë dollarë në vit.

Mëtutje, Maks Bokës, theksoi:

“Nëse Shtetet e Bashkuara e kalojnë legjislacionin PNTR me Rusinë, eksporti amerikan në Rusi projektohet të dyfishohet brenda pesë viteve. Nëse Kongresi nuk e kalon PNTR-në, Rusia gjithsesi do të bëhet anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe eksportuesit amerikanë do të humbin ndaj rivalëve të tyre kinezë dhe evropianë”, tha Bokës.

Me mbështetjen nga presidenti amerikan, Barak Obama, Rusia, vitin e kaluar, e ka kompletuar synimin e saj 18 vjeçar për anëtarësim në OBT.

Gjatë muajve të ardhshëm Duma ruse do ta ratifikoj anëtarësimin.

Nëse Shtetet e Bashkuara nuk i tërheqin barrierat e tyre tregtare, atëherë nuk do të kenë përfitime nga tarifat e reduktuara, që i sjell hyrja e Rusisë në OBT.

Ronald Pollet, shef i kompanisë Gjeneral Elektrik në Rusi, dhe njëri prej udhëheqësve amerikanë të bizneseve, që mori pjesë në dëgjim, tha se normalizimi i raporteve tregtare me Rusinë, do ta trefishoj shitjen e kompanisë së tij në Rusi, deri në vitin 2020.

Megjithëqë pak ligjvënës amerikanë i kanë hedhur poshtë avantazhet ekonomike, që do të krijoheshin me tërheqjen e legjislacionit, shumë ligjvënës ishin hezitues ta bëjnë këtë, pa implementimin e masave të reja, për ta mbajtur Moskën përgjegjëse për gjendjen problematike të të drejtave të njeriut në Rusi.

I konceptuar në vitin 1974, Amandamenti Xhekson – Vanik, ishte miratuar për të bërë presion në ish Bashkimin Sovjetik, për t’i tërhequr kufizimet e imigrantëve hebrenjtë. Duke pasur parasysh se ky legjislacion, në masë të madhe, e ka arritur qëllimin, parimet e tij ishin anashkaluar nga shumë administrata. Megjithatë, ai vazhdon të ketë rol simbolik, duke e përfaqësuar qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut në Rusi.

Lajme të ngjashme

Back to top button