Krasniqi e dorëzon titullin e Evropës në boks

Boksieri kosovar Haxhi (Robin) Krasniqi e ka dorëzuar titullin e Evropës në versionin WBO. Kështu të paktën ka njoftuar të enjten kompania promovuese e shqiptarit “SES Boxing” në sajtin e saj zyrtar.

Krasniqi 24-vjeçar, titullin WBO Europe në kategorinë gjysmë të rëndë e fitoi më 21 tetor të vitit të kaluar.
“Robin Krasniqi ka lëshuar titullin e Evropës në WBO pasi ka ambicie për tituj të tjerë në kategorinë gjysmë të rëndë”, ka shkruar  në sajtin e “SES Boxing”.
Titullin që e mbante Krasniqi ka mbetur vakant. Për të do të luftojë slloveni Denis Simçiq kundër çekut Adam Hubinger. Meçi do të zhvillohet më 24 mars në Maribor të Sllovenisë. Edhe Simçiq është pjesë e kompanisë “SES Boxing”.

Boksieri nga Juniku, Krasniqi, titullin WBO Europe e fitoi duke e mposhtur me nokaut në raundin e katërt francezin Abdelkahim Derghal. Titullin e fituar më 21 tetor e mbrojti më 7 janar, kur e mposhti me nokaut në raundin e 12-të francezin tjetër Hakim Zoulikha.

Krasniqi në boksin profesionist ka 37 fitore e dy humbje. 13 fitore i ka arritur me nokaut. Ai aktualisht vlerësohet ndër boksierët më të mirë shqiptarë. Pritet që Krasniqi të boksojë për titull interkontinental në njërin prej versioneve të forta. Ka gjasa që lufta e ardhshme e Krasniqit të zhvillohet gjatë muajit prill, shkruan sot Koha Ditore.

Lajme të ngjashme

Back to top button