Bayerni e do Lalën për trajner

Bayern Munichu ka shfaqur interesim për mesfushorin shqiptar Altin Lala. Nuk bëhet fjalë për shërbimet e tij si lojtar, por gjiganti bavarez duket se do t’ia besojë atij punën si trajner të ekipit U-23.

Në fakt, sipas tabloidit gjerman ‘Bild’, klubi më i madh gjerman është duke e përgatitur terrenin për veteranin e Hannoverit, i cili në fund të këtij sezoni pritet ta përfundojë karrierën si futbollist. Me këtë rast, 36 vjeçari do të udhëhiqte ekipin e dytë të Bayernit, i cili garon në ligën rajonale.

Ish përfaqësuesi shqiptar s’ kish se si mos ta mirëpriste një zbarkim eventual në klubin nga ‘Allianz Arena’ gjatë kësaj vere. “Kjo është një mundësi mjaft fascinuese për mua”, ka thënë mesfushori defanziv shqiptar i cili luan në Hannover gati që 14 vjet.

Skauti i ekipit të amatorëve të Bayernit, Michael Tarnat, ka luajtur së bashku me Lalën në Hannover për pesë vjet. Dhe duket se është pikërisht ish futbollisti gjerman ai i cili i ka nisur bisedimet për angazhimin e Lalës.

Kështu, Lala po e shijon sezonin e fundit si futbollist, pas të cilit pritet t’i vendosë këpucët në gozhdë për ta nisur punën e re, atë të trajnerit. Para se të transferohej në Hannover, Lala kishte luajtur në Dinamo të Tiranës dhe në Borussia Fulda.

Lajme të ngjashme

Back to top button