“Dosja H” humbet në kërkim të Homerit

Tridhjetë e dy orë para premierës, Teatri Kombëtar i Kosovës me shfaqjen “Dosja H” kishte paralajmëruar një spektakël. E në natën kur pritej të shihej kjo, nuk ka dalë të jetë i realizuar premtimi i TKK-së. Jo të gjithë e kishin përjetuar spektaklin bashkë me pritjet për një shfaqje mirë të realizuar. 

Regjisorit Agim Sopi – me shfaqjen bazuar në veprën e Ismail Kadaresë dramatizuar nga Ag Apolloni – të enjten mbrëma i ka takuar të realizonte premierën e parë për këtë vit për të cilën TKK-ja ka shpenzuar 63 mijë euro. Një performancë me lahutë nga aktori Çun Lajçi hap perden, për të vazhduar me dialogun e dy irlandezëve që kishin mbërritur për vizitë në Shqipëri. Ndryshe nga versioni origjinal, protagonisti Maks Roth i “Dosjes H” të Sopit ishte transferuar në femër. E këtë rol, regjisori ia ka besuar gruas së tij, aktores Lumnije Sopi. 

Ani pse protagoniste, loja e saj nuk u lëvdua nga kritikët. Kur i shqiptonte fjalët në anglisht nën petkun e studiueses irlandeze, shpeshherë nxiste të qeshurat e publikut. Për rreth dy orë, në dërrasat e Teatrit Kombëtar të Kosovës  “ u jetësua” rrëfimi që e kthen audiencën prapa me dekada. Dy studiuesit aterrojnë në Shqipëri për të regjistruar këngë kreshnike dhe për t’i rënë në gjurmë Homerit. Ardhja e tyre interpretohet në disa mënyra. Gratë e moshuara paralajmërojnë se ka ardhur “djalli” për të shpërndarë murtajën. Burrat dyshojnë se kjo vizitë do t’i kushtojë Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button