Vitet ‘90 me ekspresionizëm në “Fragmente”

Koloriti i pikturave rikthen vitet ‘90. Në shikim të parë ngjyrat duken të zbehta por fshehin ekspresionizmin edhe të një gjenerate. Tetë vepra artistike, në të cilat janë të aranzhuara fiks 67 piktura, ai ka pasqyruar një copë përditshmërie të asaj kohe. Piktori Gjyljan Fetaj të enjten mbrëma ka hapur ekspozitë personale. Pikturat e ekspozuara në galerinë e Ministrisë së Kulturës, “Qafa” janë realizuar në periudhën prej vitit 1999 deri më 2002. E krejt këto janë bashkuar në “Fragmente”.

“Të gjitha janë të realizuara në teknikën ekspresioniste dhe në to janë të shprehura disa fragmente të përditshmërisë sime, të cilat audienca mund t’i interpretojë si të dojë dhe kjo është arsyeja pse nuk iu kam lënë titull”, ka thënë Fetaj.

Ai ka zbuluar disa nga planet që ka për këtë ekspozitë. 

“Planifikoj që ekspozitën ta dërgoj edhe jashtë Kosovës. Kam disa kontakte që të ekspozoj në Gjermani dhe Zvicër”, ka thënë Fetaj.

Skënder Boshtrakaj, kurator i ekspozitës, ka thënë se e veçanta e piktorit Gjyljan Fetaj është se i takon brezit të viteve ‘90.

“Ishin vitet 90 kur po rritej një gjeneratë duke përjetuar një dallim aq të madh ndërmjet botës së lirë shpirtërore të të riut dhe realitetit, ku liria mungonte absolutisht. Një gjeneratë që kishte arsye të dorëzohej nga dëshpërimi, nga persekutimet dhe tmerret e vdekjes, por pavarësisht nga realiteti kjo gjeneratë gjen forcë për t’u rilindur disa herë brenda pak viteve të rinisë së vet”, ka thënë Boshtrakaj.

Lajme të ngjashme

Back to top button