100-vjet shtet, aktivitete në Austri, Angli dhe Rumani

Në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë është çelur ekspozita “Besa” në Austri ndërsa kanë startuar edhe aktivitetet në Londër dhe Bukuresht.
 

Kështu Ambasada shqiptare në Austri dhe Misioni i Përhershëm pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë, hapën në krahinën e Burgenlandit ekspozitën fotografike “Besa: Shqiptarë që shpëtuan hebrej gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Veprimtaria u realizua në bashkëpunim me agjensinë e organizimit të eventeve “Milli Segal”, konsullatën tonë të nderit në krahinën e Burgenlandit dhe autoritetet vendore të kësaj të fundit.

Ambasadori pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë, Spiro Koçi, theksoi se kjo veprimtari përkon me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, që po kremtohet me nder dhe krenari nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, përfshirë këtu diasporën tonë në Austri. Ai shtoi se historia e shpëtimit të hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore flet për kurajon, bujarinë dhe solidaritetin që kanë dëshmuar Shqipëria dhe shqiptarët në ditët më të vështira të historisë tonë si shtet i pavarur.

Ndërkohë Ambasada në Londër në bashkëpunim edhe me Ambasadën e Kosovës dhe Shoqërinë Anglo-Shqiptare, ka përgatitur një program të gjerë aktivitetesh për festimet e këtij viti jubilar i cili do të kulmojnë me javën shqiptare para Ditës së Pavarësisë.

Në kuadër të aktiviteteve me rastin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar, më 14 mars 2012, në Bukuresht, është përkujtuar nisja e rrugëtimit drejt pavarësisë kombëtare. Ambasadori i Shqipërisë në Rumani, Sami Shiba, u takua me përfaqësuesit e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, respektivisht me Kryetarin Z. Mircea Istrate, Kryetarin e nderit dhe themeluesin e kësaj shoqate, Prof. Xhelku Maksutoviç dhe me Kryeredaktorin e gazetës “Albanezul/Shqiptari”, z. Baki Ymeri. Takimi kishte si qellim të përkujtonte atë kohë, kur 100 vjet më parë, themeluesi i shtetit të parë kombëtar shqiptar, Ismail Qemali u takua me përfaqësues dhe patriotë të Bashkësisë së Shqiptarëve të Rumanisë dhe mori mbështetjen e tyre për shpalljen e shtetit të pavarur shqiptar, në Vlorë, më 28 nëntor 1912.

Ambasadori dhe drejtuesit e BKSHR bënë dhe një vizitë në Kishën “Dintro zi”, e cila i është dhënë në përdorim komunitetit shqiptar të Rumanisë nga viti 1911 deri më 1949, vend ku ka kryer shërbesën në gjuhën shqipe, rilindasi, politikani, shkrimtari, përkthyesi dhe atdhetari Fan Stilian Noli.

Lajme të ngjashme

Back to top button