Majat e lirisë

Çdo histori njerëzore nis nga e qara e parë e përfundon në heshtjen e fundit pa mos harruar që kujdesshëm të shënojë çdo buzagaz a lot që mbush regjistrin tonë të cilin më pas ia vlen ta quajmë njerëzor. Çdo histori popujsh e rizbulon vazhdimisht nisjen e vetë duke tentuar të shtyjë në pafund përgjithmonë përfundimin. Në këtë shtyerje kohësh janë njerëzit e saj që lotët buzagazin ua lagën, por pa qarë e pa heshtur përbrendësuan regjistrin e popujve pa njohur nisje a përfundim u hodhën në përqafimin e lirisë duke luftuar për dinjitetin e lirë të gjithsecilit.

Koha jonë ka besuar në ne regjistrin e historisë sonë popullore duke na përqafuar fuqishëm me detyrimin e besnikërisë ndaj të bëmave njerëzore pa të cilat ne sot nuk do ta kishim dinjitetin e njeriut të lirë. Lirinë, po spati kush ta përqafojë, ajo vdes së vetmi. Mes nesh sot kanë ngelur të paktë ata që akoma besojnë se shtyejnë përfundimin e historisë së lirisë me mospajtim me kundërshtim dhe mosbindje.

Rrugëve, shkollave, kafeneve, televizioneve e teatrove ka çdo ditë e më shumë nga ata që me egoizmin më fanatik mbajnë nën sqetull nga një regjistër pervers individual e aq më tepër shfletojnë publikisht shënimet e majme të llastisjes në të arritura kollaresh, veturash, bansash, fëmijësh a martesash të subvencionuara nga partia a biznesi. Kur veçmë jemi te paria, ajo është kurora boshe që si ringishpil tërheq mendje fëmijësh me idenë e përfitimit të kënaqësisë, në një rreth me dhjetëra ulëse. Ajo i ka birësuar të ligët, haramët i ka njohur për të ndershëm, përqafimin e lirisë e ka shpallur për budallallëk dhe adhurimin e liderit e ka bërë laps për të shkruar regjistrat anëtarët e saj.

Ata që janë sot në parti as që mund ta njohin soditjen nga majat ku përqafimi i lirisë të shpie, nga majat prej ku mund të hidhesh në secilën kafene e të përqafohesh lirshëm me secilin shok a shoqe, të shqiptosh zëshëm kundërshtimin tënd më pallavrat e zyrtarëve që mezi shqip ia arrijnë të kumtojnë një fjali të zakontë pune.
Një ideje të cilës i ka ardhur koha mund vetëm ti bashkangjitemi apo t’i qëndrojmë pranë. Zgjedhja që sot një i ri mund ta ketë është të rijë anash apo të bëhet pjesë e asaj që do të jetë e nesërmja.

Një ideje të cilës i ka ardhur koha nuk i bëjnë ballë as partitë as familjet as traditat, sepse ajo nuk bart me vete urejtjen e së sotmes së mbrapme, por besnikërisht, në lot e buzëgaz mbjell farën e lirisë që shtyn përtej përfundimin e historisë. Mbjellës të farës së nesërme, që sot duhet të jemi më shumë, për ta ndaluar përfundimin e historisë sonë popullore që partitë robëruese, intelektualët paçavër, profesorët e pandershëm, shokët e interesit, aktorët palaço, këngëtaret e zhveshura, gazetat boshe, gjykatësit kokëkashtë dhe të padashuruarit e tjrë e shtyjnë drejt greminës së regjistrave të tyre që kërcasin si karkalecë kaq vite mbi kokat tona.

Një ideje të cilës i ka ardhur koha mund ti prijmë vetëm ne me hapat tona të bashkërenduar dhe të lirë, mund ti prijmë vetëm së bashku dhe assesi së vetmi. Krahët e lirisë do të hapen në përqafim aq sa do të ketë njerëz nga ne që denjësisht do ti avitemi. Prandaj le të na rrethojë kumti i së nesërmes në buzagaz e lot, le të na njohë njëherë e mirë liria, që dhe ne të mund të flasim për të në gjuhën e regjistrit tonë popullor liridashës, secili me zërin tonë veç e veç, në fushën që po mbjellim të mbijnë majat e lirisë.

Se historisë sonë nuk mund t’i lëmë vetëm të qara dhe heshte, se historinë tonë nuk mund ta barazojmë me fillimin dhe fundin, se buzëgaz dhe lotë mund të sjell vetëm lufta në kundërshtim, vetëm qëndrimi në mospranim, vetëm besnikëria në mosbindje dhe kremtja e çdo fitoreje të vogël, çdo rezistence e çdo dhënie na shpie dita ditës më afër kohës së idesë të cilës i ka ardhur koha. 

    

Lajme të ngjashme

Back to top button