Sierra-Leone: Nga vërshimet kanë humbur jetën qindra vetë
Nga vërshimet shkatërruese dhe shembja e dheut afër dhe në kryeqytetin, Fritaun, në Sierra-Leone, kanë humbur jetën afro 500 vetë, kanë thënë zyrtarët, transmeton REL.
Autoritetet në këtë vend të varfër në Afrikën Perëndimore, thanë mbrëmë se janë të fokusuar në nxjerrjen e trupave të pajetë, në mënyrë që të mos përhapen sëmundje të rrezikshme, siç është kolera.
Kryqi i Kuq ka njoftuar para tri ditësh se më se 600 njerëz ende konsiderohen të zhdukur.
Ekspertët thonë se shembja e dheut me pasoja vdekjeprurëse po shtohet në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore, për shkak të shkatërrimit të pyjeve dhe rritjes së popullatës në qytete.
Javën e kaluar, nga shembja e dheut janë shkatërruar edhe shumë shtëpi në një fshat në Kongo, duke i vrarë më se 200 njerëz, kanë thënë zyrtarët lokalë.