Invest in Qatar

Problemi me shkrimet e rregullta javore, ndonjëherë, është i ngjashëm me gjërat të cilat duhet ti merrni me vete në avion, kur pesha e bagazhit është e kufizuar. Kjo vlen sidomos për rastet kur ato artikuj paraqesin edhe një lloj kronike të ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë atyre ditëve. Thjeshtë, shumë gjëra dhe vetëm një valixhe. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur bëhet fjalë për këto ditë të harlishme pranvere, kur secili, duke ndjekur shpresën e tij, e dikush vetëm e vetëm për të marrë mëditjet që i takojnë, fluturon dhe udhëton diku, ndërsa ti dëshiron të shënosh çdo gjë.

Pra, si çdo kursim i fjalëve që mund të çojë në rimë dhe poezi, ashtu edhe  ky problem veçmë është përshkruar me një varg poezie nga poeti turk, Orhan Veli Kanik: “E pamundshme të shkruash poezi nëse je i dashuruar, dhe të mos, nëse është prill!”

Fluturimi i parë dhe shpresa më e madhe është Katari. Prej kur u pa, se nga tërë rajoni, ne kemi më së shumti dele për kokë qytetari dhe se, krahasuar me pagën mesatare, ndajmë të holla për benzin më shumë se fqinjët tanë, katarasit, me të vërtetë mund të vendosin të hapin pompa benzini në Maqedoni. Sepse, sipas këtyre statistikave, dukemi kurbanë të vërtetë. Mund të paraqitet ndonjë problem në lidhje me implementimin e kësaj vetëm në qoftë se i shikojnë të dhënat e vjetra statistikore për popullatën në Maqedoni. Them të dhënat e vjetra, sepse me të rejën  si duket i numërojnë vetëm delet, ndërsa ne njerëzve më as që na përmendin. Edhe Branko Crenkovski më nuk komenton në lidhje me regjistrimin e popullatës, për të cilin premtoi se do ta kërkojë çdo tre muaj?!

Kështu, sipas këtyre të dhënave të vjetra, në Maqedoni ka një të tretën myslimanë, gjegjësisht, njerëz me religjion të njëjtë sikurse katarasit. Në qoftë se shohin përbërjen e delegacionit qeveritar të Maqedonisë i cili shkoi në Katar, e në të cilën nuk ka asnjë mysliman, ata mund të dëshirojnë të investojnë edhe në tërësinë e përfaqësimit nacional, dhe kështu të bëjnë diçka më shumë. Të bëjnë diçka që edhe myslimanët e Maqedonisë të përparojnë. Pra, që herën e ardhshme të marrë mëditje edhe ndonjë mysliman nga këto udhëtime qeveritare. Për herë të tretë po i përsëris mëditjet, sepse në fund do të dalë se këto janë të hollat kesh i vetëm real. Këto janë para që ne, qytetarët viktima, i japim dhe kështu, edhe ne në një mënyrë investojmë në Katar. 

Mirëpo, bashkëpunimi me Katarin është me të vërtetë një shpresë e madhe. Për arsye se katarasit janë të parit në atë rajon të cilët, kur të tjerët bënin qendra tregtare, atyre ju kujtua të bënin televizion. Tani, kur të gjithë aty blejnë klube evropiane futbolli, ndoshta edhe u është kujtuar të blejnë ndonjë shtet evropian! Mirëpo, kjo vlen në afat të gjatë dhe vetëm nëse kemi një regjistrim të kompletuar të popullatës. Ne nuk jemi as mbretëri, as emirat, prandaj kjo është e mundshme  vetëm me ofertë direkte nga ana e qytetarëve, të cilët janë bartësit e sovranitetit të shtetit.

Edhe ajo mund të ndodhë, në qoftë se si qytetarë, u ofrojmë ta blejnë “Ngrohtoren”. Projekti do të zhvillohej në tre faza. Së pari, qytetarët u lëshojnë faturë firmave për ngrohje për arsye se gypat u kalojnë nëpër banesa, shtëpi, nëpër rrugë dhe nëpër shtet. Bëjnë presion, pasi që më në fund të kenë filluar të hulumtojnë se a paguajnë për ngrohje anëtarët e Komisionit regullues shtetëror, ose jo? Pastaj, qytetarët organizohen për përmbarim. Katarasve ua ofrojmë edhe tërë masën falimentuese. Duket pak e çuditshme t’ju shitet ngrohtore njerëzve të viseve tropikale, por, kur ata vijnë tek ne për naftë, pas gjithë atij gërmimi nga ana e Pasko Kuzman, mundemi edhe ne atyre t’ju shesim gypa nga “Ngrohtorja”.

Valixhja është një, ndërsa gjatë javës kishte dy fluturime. Fluturimi i Musa Xhaferit për në Bruksel, me një stopover në Kosovë. Ky fluturim e lançoi Xhaferin në majë të orbitës së popullaritetit tek pjesa maqedonase e opinionit. Kjo ishte më se e qartë nga titujt e gazetave në gjuhën maqedonase, por edhe nga fakti se, vetë tani, për herë të parë gjatë dhjetë viteve të tëra, nga të cilat ky Musa, tetë vite ka qenë ministër, mendohet në të kur përmendet Xhaferi. Më herët ai ishte një plak dinak, i cili, ishte aq i mençur sa edhepse ishte shumë afër, asnjëherë nuk e mori titullin Vojvoda: Arbën Xhaferi. Nga ana tjetër, pikërisht për shkak të televizionit kosovar, ky fluturim nga ana e shqiptarëve u pa si një rënie në bosh, e lirë. Kjo pikëpamje e ndryshme për një fluturim të njejtë, do të rregullohet vetëm kur shqiptarët do ta kuptojnë se deri ku shkon diferencimi i kosovarëve dhe se në çfarë distancimi masoist do të shndërrohet kjo. Çka nëse vazhdon kjo rënie e lirë dhe si të ndryshëm shpallen të gjithë të tjerët në BDI?

Pra, Ali Ahmeti u bë dikush në politikën shqiptare nëpërmjet Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, Fazli Veliu gati se të gjithë librat i ka shkruar për atje, Hazbi Lika rrjedh nga një familje kosovare, ‘Shkupi’ me gjithë degët partiake është ‘Shkupi’, i cili ka qenë qendër historike e vilajetit të Kosovës dhe kështu me radhë. Kush kë do të distancojë në fund? Por, kjo ndjekje e rënies do të zhvillohet në shqip dhe nuk do të jetë në dispozicion në maqedonisht. Për në maqedonisht, duhet vetëm të përkujtojmë se çdo lojtar i vërtetë më shumë qesh ndaj autogolëve të kundërshtarit, se sa ju gëzohet atyre. Kështu ishte kur luanim futboll në mahallë. Pse festë, gëzim dhe tituj për autogolë, sikur ky i fundit i Musës?

“Në valixhe ka vend për lot dhe një ëndërr…”(Dule dhe Koki) Kështu loti din të jetë rezultat i fundit i fyerjes. Në qoftë se shan dhe porosit ndonjë karikaturë fyese, nga nervoza nga takimi më i rëndësishëm politik i muajit, ajo e ambasadorit amerikan me liderin e VMRO-Partia Popullore, atëherë, ky është një gabim edhe në rend edhe në adresë. Në vend se, sipas rendit, ta pyesësh pikërisht atë lider, Lubço Georgievski, çka ndodh kur nuk tregohesh i sjellshëm ndaj ambasadorit amerikan. Ose të telefonosh Sali Berishën, i cili pas rënies në vitin 1997 u bë aq konstruktiv që, nëse urdhërohet, tani do të lejojë edhe një paradë pedofilësh. 

Dhe në fund, gjëja më e bukur, si një ëndërr, këtë javë ishte shfaqja teatrale e performuar krejtësisht zgjuar, nga grupi “Buden Teatar”! Bravo! Mua mu zbukurua java, ashtu si edhe çdo dashamirësi të teatrit.

Ramadan Ramadani
(Fokus, 29.03.2012)
©për shqip: Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button