Rohan: Bisedimet për veriun të pashmangshme

Kosova duhet të bisedojë me njerëzit në veri të vendit. Por, është e natyrshme që në këto bisedime të përfshihet edhe Beogradi, pasi që ka ndikim të madh në atë pjesë. Ky proces mund të fillojë menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi. Është e qartë se problemi i Veriut ekziston, përndryshe nuk do të flitej për të. Çfarëdo zgjidhjeje, nuk duhet të dalë jashtë Planit të Ahtisaarit. Ambasadori Albert Rohan flet për Express.

Express: Ambasadori Rohan, kohëve të fundit po flitet për një dialog politik për Veriun. Plani Gjithëpërfshirës i Ahtisaarit e ka adresuar këtë çështje, por nuk është zbatuar. A mendoni se pala kosovare duhet të pranojë të hyjë në bisedime për këtë çështje?

Rohan: Unë mendoj se duhet të kemi parasysh situatën realiste, që duhet të jetë se Qeveria e Kosovës, ngjashëm si UNMIK’u para saj, nuk ka kontroll të plotë mbi komunat veriore të Kosovës. Dhe, kjo duhet të ndryshojë, që komunat veriore të riintegrohen në Kosovë. Partneri kryesor në dialog duhet të jenë njerëzit të cilët jetojnë në Veri. Problemi është se liderët atje nuk janë bashkëpunues, dhe bëhet e vështirë që dialogu të zhvillohet me Veriun, me njerëzit atje. Por unë mendoj se ky është drejtimi kryesor.Në anën tjetër, ndërkombëtarët gjithashtu kanë një ndikim këtu, EULEX’i, KFOR’i, bile edhe UNMIK’u mund të ketë një rol për të ndihmuar, por në të njëjtën kohë është realitet që Beogradi ka ndikim të madh në Veri dhe në situatën atje, pra mendoj se është e natyrshme që të diskutohet edhe me Beogradin për këtë çështje dhe të bëhet presion që të erret asistenca e Beogradit për të ndryshuar këtë situatë.

Express: A mendoni se Beogradi është i interesuar që të gjendet një zgjidhje për Veriun?

Rohan: Nuk e di, mund të jetë që disa aspekte, si ai i krimit, kontrabandës dhe gjërave të tilla, mund të ketë interesin e njëjtë si me atë të Qeverisë së Kosovës. Pra, janë disa aspekte, të cilat, varësisht se cila qeveri do të vijë pas zgjedhjeve në Serbi, mund të adresohen. Por nëse është qeveria e ngjashme me atë të tanishmen, mund lehtë ta imagjinoj se në disa aspekte, për shembull të kemi një kontroll më efektiv kufitar, ata mund të jenë ndihmues. Pra, unë mendoj se nuk ka asgjë të keqe që të bisedohet me këdo që është në pozitë të ndihmojë.
Sa për ta bërë të qartë se çështja e statusit është e qartë, asgjë nuk do të ndryshojë, kufijtë janë caktuar dhe nuk do të ndryshojnë. Dhe përderisa këto aspekte të jenë të qarta, atëherë duhet të bisedohet me këdo që mund të ndihmojë./indeksonline

Lajme të ngjashme

Back to top button