Durrës, mbetjet plastike në bregdet rrezik për sezonin veror

Durrës – Ka vazhduar edhe sot  pastrimi i bregdetit në jug të Durrësit, i cili dy ditë më parë u “përmbyt” nga një sasi e pazakontë mbetjesh plastike, që mendohet se janë prurje detare të grykëderdhjeve lumore në veri të qytetit.

Drejtori i ndërmarrjes komunale Plazh, Alfred Dhuli tha se, gjatë dy ditëve të fundit janë evaduar mbi 180 ton mbeturina plastike, ndërsa nuk kanë munguar, trungjet e pemëve, kafshët e  ngordhura, si edhe mbeturinat e sjella në bregdet nga rrymat detare dhe stuhia e ditëve të fundit.

Sipas Dhulit, plazhi u ndot në të gjithë gjatësinë e tij prej 3.4 km, nga ura e Dajlanit, deri në sektorin Iliria dhe gjatë dy ditëve të fundit në këtë territor prej mbi 30 ha, kanë punuar 6 automjete vetëshkarkuese, eskavatorë, si dhe 60 punonjës të ndërmarrjes.

Një ndihmesë të madhe, ai tha se kanë dhënë edhe administratorët e hoteleve dhe restoranteve përgjatë vijës bregdetare, të cilët kanë pastruar sipërfaqe të mëdha rëre pranë bizneseve te tyre.

Ndërkaq, specialistët e ndërmarrjes kanë “fajësuar” mbetjet e grumbulluara pranë grykëderdhjes së lumit Ishëm, si shkaktarë të ndotjes së madhe ekologjike të 48 orëve të fundit.

Nga ana tjetër, një prej detarëve të vjetër,  Enver Gucija, veteran i lundrimeve në detin Mesdhe, shprehet se, rrymat në detin Adriatik dhe Jon kanë zakonisht drejtim antiorar, pra ngjiten nga brigjet e Durrësit drejt Shëngjinit dhe më tej në ato të malit të Zi e Kroacisë për të “zbritur” në krahun bregdetar të Italisë.

“Vetëm një anomali detare mund ta shpjegojë ardhjen e mbeturinave urbane nga këndi jugor i gjirit të Drinit në grykëderdhjen e lumit Ishëm, drejt brigjeve të Durrësit, në një distancë detare prej më shumë se 25 miljesh ose 40 km./lajmeshqip

Lajme të ngjashme

Back to top button