Analistët, pas Çikagos programet partiake të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së me afat të skaduar

Nëse Maqedonia, siç edhe pritet,  nuk merr ftesë për anëtarësim në NATO gjatë Samitit të Çikagos, programet partiake të partnerëve qeveritarë VMRO-DPMNE dhe BDI nuk do të vlejnë më, kështu për PORTALB vlerësojnë politikologët  Alajdin Demiri dhe Petar Arsovski.

Legjitimiteti i këtyre subjekteve politike duhet kërkuar në zgjedhje, pasi dy komunitetet ai maqedonas dhe komuniteti shqiptar në vend kërkon anëtarësim sa më të shpejtë të vendit në aleancë, thonë analistët.

‘Samiti i Çikagos nuk do të jetë befasi për askënd, as në Maqedoni e as në NATO. Maqedonia është larg NATO-s sepse zgjerimi nuk do të jetë temë e Samitit, mirëpo megjithatë Samiti është i rëndësishëm për Maqedoninë, për arsye se i hap dilemat si të mbijetojë koalicioni aktual VMRO-DMPMNE dhe BDI, dhe kjo për një arsye të thjeshtë, platformat e tyre do të harxhohen’, thotë Demiri.

‘Në këtë situatë ngelet varianti i zgjedhjeve të parakohshme dhe ridefinimi i platformave dhe programeve partiake, duhet ofruar programe të reja për veprim. Unë megjithatë mendoj se koalicioni qeveritar nuk është i gatshëm të ndërmerr një hap të këtillë, dhe do të tentojë që ta zgjasë mandatin me afera të ndryshme, të korrupsionit, të krimit dhe të varfërimit të Maqedonisë’, vlerëson analisti politik Alajdin Demiri.

Dy partitë do të mundohen këtë situatë ta shfrytëzojë si motiv që në 2013, bashkë me zgjedhjet lokale të mbahen edhe ato parlamentare, gjithmonë duke llogaritur në rejtingun e tyre, nëse do ti fitonin zgjedhjet apo jo, por gjithashtu duhet theksuar se një  kohë te gjatë që BDI-ja e ka mundur legjitimitetin, pikërisht te votuesit shqiptar, për arsye se nuk ka zbatuar asnjë premtim të dhënë që nga koha e ish-luftëtarëve të vet, as në aspektin e investimeve, as në atë të punësimeve, as për integrimin e vendit në NATO, këto tashmë janë projekte iluzioniste, shton Demiri.

Për politikologun Petar Arsovski, pas Çikagos presionin më të madhe do ta ketë BDI, pasi elektorati i saj apo shqiptarët në masë mbi 90 për qind janë pro anëtarësimit në NATO, dhe arritjes së një kompromisi me Greqinë për emrin, ndërsa  presion më të vogël do të kishte VMRO-DPMNE sepse elektorati maqedonas është i ndarë gjysma është për anëtarësim edhe me çmimin e ndërrimit të emrit, por gjysma tjetër është kategorikisht kundër.

‘Pas Çikagos mund të ndodh që dy partitë të bëjnë një marrëveshje të re bashkëveprimi, dhe në këtë situatë DBI do të rriste pozicionin e vet në koalicion, dhe do të fitonte më shumë, por edhe presioni nga elektorati që pret anëtarësimin në NATO do të kulmojë. BDI nuk do të mund të lëshojë  koalicioni qeveritarë, sepse  kjo do të ishte në kundërshtim me parimin e tyre që qeveria të krijohet nga fituesit e dy taborëve politike, pra do të ishte kundër vet vetes’ thotë Arsovski.

Qeveria është duke zhvilluar një fushatë të madhe për bindjen e shteteve të BE-së që të ndikojnë tek Greqia që Maqedonia të mund të pranohet në NATO me emrin e përkohshëm IRJM, gjë që kundërshtohet ashpër nga shteti helen, që njëherë kërkon zgjidhje përfundimtare për emrin dhe pastaj anëtarësim. 

/Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button