OKB-së i bëhet thirrje për reagim kundër Iranit, pas lansimit të raketës

Shtetet e Bashkuara dhe tre nga aleatët e saj, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, i kanë bërë thirrje Organizatës së Kombeve të Bashkuara t’i dërgojnë “mesazh të qartë Iranit”, në përgjigje të lansimit të fundit të raketës me kapacitet për të bartur satelitë, shkruan REL.

Fuqitë evropiane e kanë cilësuar një hap të tillë si “efekt destabilizues në rajon”.

Ambasadorja e SHBA-së, Nikki Haley, në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka thënë se lansimi “ prezanton një këcënim dhe hap provokativ të Iranit”.

Në letrën e saj të shkruar në emër të SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe i bëhet thirrje Këshillit të Sigurimit “ të diskutojë përgjigje të përshtatshme” kundër “ aksioneve provokative” të Teheranit.

Në letër thuhet se lansimi nuk ka qenë në përputhje me rezolutën e OKB-së, e cila ka për bazë marrëveshjen e nënshkuar të vitit 2015 me gjashtë fuqi botërore, duke përshirë edhe SHBA-në, sipas së cilës palët u pajtuan për limitimin e programeve bërthamore dhe atyre të raketave balistike, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Mirëpo ambasadori i ri rus në OKB, Vasily Nebenzya nuk është pajtuar me këto deklarata.

Ai u ka thënë gazetarëve më 2 gusht, se Rusia nuk e konsideron lansimin e fundit të raketës nga Irani si shkelje të marrëveshjes bërthamore, ka raportuar TASS.

Më 27 korrik, Irani e ka lansuar raketën më të avancuar të tij, “Simorgh”, me kapacitet të bartjes së satelitëve.

Letra nga Haley është nisur në po të njëjtën ditë kur presidenti, Donald Trump, e ka nënshkruar legjislacionin për sanksione kundër Iranit, Rusisë dhe Koresë Veriore.

Zëvendësministri i jashtëm iranian, Abbas Araqchi, i ka cilësuar sanksionet si përpjekje të SHBA-së për të sabotuar marrëveshjen bërthamore.

“Nuk do të kundërpërgjigjemi, mirëpo do të refuzojmë të bëhemi pjesë e kësaj loje”, ka thënë Araqchi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button